Këto parcela kanabisi u zbuluan nga dronët e policisë në qarkun e Shkodrës.
Për kontrollet e territorit u angazhuan rreth 170 punonjës policie dhe 6 dronë të cilësisë të lartë.
Gjatë kësaj faze të megaoperacionit në Shkodër dhe në Malësi të Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 10 536 bimë dhe 728 fidanë cannabisi.
Në Dukagjin, Shalë dhe Postribë u zbuluan rreth 6600 bimë narkotike që ishin mbjellë në tokë.
Aksioni i policisë u shtri edhe në njësinë administrative Kelmend, Malësi e Madhe ku asgjësuan 3528 bimë cannabisi të mbjella dhe 728 kubikë me fidanë narkotikë.
Parcela u gjeten edhe në Vaun e Dejës ku u asgjësuan 408 bimë cannabisi.
Kultivuesit nuk janë identifikuar ende por policia njofton se në parcelat me kanabis janë mbledhur prova materiale dhe gjurmë që do të çojnë në zbulimin e autorëve.
Për aksionin në Shkodër reagoi edhe ministri Taulant Balla duke shkruar në rrjetet sociale se Lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike vijon çdo ditë duke shtuar se shqiptarët presin një territor të pastër.

