FSHF vijon të kujtojë ndeshje dhe momente emocionuese të kombëtares kuqezi ndër vite. Postimi i fundit lidhje me një fitore kundër Lituanisë në “Qemal Stafa”. Ishte 3 qershori i vitit 1992 dhe Shqipëria luante për herë të parë në histori kundër këtij kundërshtari.
Sfida zhvillohej për eliminatoret e Botërorit 1994, në stolin e kombëtares ishte Bejkush Birçe, ndërsa Sulejman Demollari drejtonte shokët në fushë si kapiten. Atë ndeshje e fituam 1-0, falë një eurogoli nga Eduard Abazi.
Ish-sulmuesi i njohur shqiptar, në atë kohë pjesë e Hajduk Split në Kroaci, realizoi golin e fitores në minutën e 77-të me anë të një roveshate fantastike. Një triumf që solli gëzim të madh te tifozët e pranishëm në stadium, të cilët shijuan në maksimum perlën e Abazit. /abcnews.al