VIDEO/ “10 muaj në çadër”, familja Krosi në Bushnesh të Krujës pa shtëpi në prag të dimrit

schedule09:38 - 30 Shtator, 2020

schedule 09:38 - 30 Shtator, 2020

Tërmeti i 26 nëntorit la me qindra familje në qiell të hapur. Shume prej tyre, në pamundësi ekonomike për t’u akomoduar diku tjetër, u strehuan në çadra. 10 muaj pas tërmetit, ata vijojnë të jetojnë në çadra, pa asnjë informacion mbi fatin e shtëpive të tyre.

I tillë është rasti i Dodë Krosit, i cili së bashku me familjen e tij ka 10 muaj që kalon dimrin dhe verën brenda një çadre, që nuk ofron asnjë mbrojtje ndaj kushteve të vështira atmosferike.

Dodë Krosi është invalid dhe përveç vështirësive që sjell gjendja e tij shëndetësore, ai do të detyrohet të kalojë edhe dimrin e dytë në çadër.

Shtëpia e familjes Krosi u vlerësua me DS5 dhe autoritetet i njoftuan se ata do të akomodoheshin ne Thumanë. Mirëpo kjo nuk është dëshira e tyre, pasi ata duan të jetojnë vendin ku ata kanë lindur dhe krijuar familjen.

Kërkesa e familjes Krosi është rindërtimi i shtëpisë, pasi një vit tjetër në çadër do të ishte i pamundur për ta.

Dodë Krosi: Dodë Krosi më quajnë, jam prej katunit Bushnesh të rrethit Krujë, edhe tërmeti ma ka zënë tërmeti shpinë, edhe ndihmat e shtetit edhe aq shumë nuk kena pas nima të mëdhaja.

Belind Këlliçi: Ku jeton tani?

Dodë Krosi: Jetoj në çadër.

Belind Këlliçi : Sa u bë?

Dodë Krosi: Në çadër jetoj, 10 muaj në çadër aty. Jetoj në çadër, edhe asnjë ndihmë asnjë, kshu nuk kanë ardhur që me na thënë, me na dhënë gjë me na ashtu.

Belind Këlliçi: Si ta kanë cilësuar shtëpinë?

Dodë Krosi: DS5.

Belind Këlliçi: Cfarë po ndodh tani në fazën që jemi tani?

Dodë Krosi: Asnjë gjë!

Marte Krosi: Na rroftë çadra!

Dodë Krosi: Na rroftë çadra jonë!

Marte Krosi: Në dimër çadër, verës kena nejt në hije të rrushit prej të nxehtit, po në dimër ku do shkojmë?

Belind Këlliçi: Me këtë shi ku do të rrini?!

Marte Krosi: Me këtë shi ku do të rrijmë? se di edhe në çadër…

Dodë Krosi: Cadra fut ujë brenda.

Marte Krosi: Kurse verën  e kalua,  kurse dimrin nuk dimë si ta kalojmë!

Dodë Krosi : Ai  shi që ra u fut uji brenda.

Belind Këlliçi: Ju vetë jetoni me pension?

Marte Krosi: Po me pension. Ky eshte invalid.

Dodë Krosi: 105 mijë marr. Kshu na ka thënë  ai i komunës. Do të bëhet  kabina në Thumanë. Kabinë, ku e di unë se si bëhen ato, po ne kërkojmë të bëhet  këtu.

Belind Këlliçi: Ju kërkoni shtëpinë.

Dodë Krosi: Një dhomë a dy dhoma, 2 dhoma të na bëhen këtu, nuk duam më tepër. 2 dhoma të na bëjnë, 2 dhoma .

Marte Krosi: Sa pleqtë të fusin kokën brenda!

Dodë Krosi: Të flejmë rehat!

Belind Këlliçi: Sa me fut kokën!

Marte Krosi: Me fut kokën brenda!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!