Edhe pse u njoftua nga Policia Rrugore se në 7 akse kryesore të vendit do të jenë të instaluar efektivë me radarë dhe aparate “Drager” me qëllim uljen e aksidenteve me vdekje përsëri gjatë vëzhgimit që bëri ABC News asnjë patrullë nuk ishte prezent në autostradën Tiranë-Durrës. Kjo autstradë ka edhe numrin më të lartë të vdekshmërisë nga aksidentet në qarkun e Tiranës.
Rritja e numrit të aksidenteve me vdekje në të gjithë vendin krahasuar me vitet e kaluara detyroi Policinë Rrugore të marrë masa drastike, duke riaktivizuar Radarët e aparatet “Drager”.
Por nga një vëzhgim që bëri ABC News asnjë patrullë e Policisë Rrugore nuk ishte instaluar në dy anët e autostradës Tiranë-Durrës.
Nga sheshi “Shqiponja” e deri në Maminas është edhe numri më i lartë aksidenteve dhe shumë drejtues automjetesh shkelin Kodin Rrugor, sidomos tabelat horizontele dhe vertikale.
Siç duket edhe në këtë rast, ky shofer kryer manovra të rrezikshme, duke ndërruar korsinë e lëvizjes pa ndezur sinjalin.
Të kontaktuar nga ABC News, zyrtarë të Policisë së Shtetit, pohojnë se një pjesë e mirë e efektivëve rrugorë janë stacionuar pranë qendrave bregdetare, ndërsa patrullimi blic kryhet vetëm gjatë fundjavës.
Pavarësisht kësaj, eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe pohon se, Policia Rrugore nuk duhet të jetë statike, por në lëvizje pasi trafiku rëndohet në shumë drejtime njëkohësisht.
“Nëse policia dëshiron që të zvogëlojë numrin e aksidenteve rrugore dhe të rregullojë trafikun e të jetë sa më i qetë do ishte normale që mjetet e veta t’i përdorte si udhërrëfyes për mjetet e tjera”, tha Artur Sulçe.
Gjatë fundjavës, Policia Rrugore njoftoi se kishte pezulluar 39 leje drejtimi, pasi drejtuesit e automjeteve lëviznin me shpejtësi të lartë që arrinte deri në 223 km/h./abcnews.al