Vettingu në polici, Kapaj: Pse ngeci procesi

schedule15:48 - 13 Shtator, 2019

schedule 15:48 - 13 Shtator, 2019

Vonesat në vettingun e Policisë kanë ardhur për shkak të mungesës së bashkëpunimit të disa institucioneve shtetërore si dhe lëvizjet në detyrë të drejtuesve të policisë. Kryetarja e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit Ana Kapaj raportoi në komisionin e Sigurisë, ku dha detaje mbi ngecjen e këtij procesi.

Dy institucionet kushtetuese si Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ i Shtetit, janë bërë pengesë për mos nisjen në kohë të procesit të Vettingut në radhët e policisë.

Kështu u shpreh kreu i Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit Ana Kapaj para deputetëve të Komisionit të Sigurisë, cila theksoi se, edhe institucione e tjera shtetërore nuk kanë bashkëpunuar për dorëzimin e dokumenteve në kohë.

“Nëse flasim për institucione të cilat kemi vështirësi në leximin e informacionit që na vjen, çka na ka çuar në një fazë të dytë të kërkimit të një informacioni nga këto institucione, kryesisht lidhet me institucione si SHISH”, tha Kapaj.

Një problem tjetër sipas Kapaj është edhe lëvizja nga detyra e shumë drejtuesve të policisë dhe të Gardës së Republikës, duke e futur në ngërç monitorimin e dosjeve brenda afatit kohor.

“Një nga problematikat e tjera që na janë ngritur janë ndryshimet e vazhdueshme që ndodhin në radhët e institucioneve me të cilat bashkëpunojmë. Ndodhin ndryshime të vazhdueshme në stafin e tyre. Ne kemi një fashë emrash fillestare që hyjnë në fazën e vetimit, ndërkohë që në vazhdimësi të kohës vijnë spostime të posteve pranë këtyre institucioneve”, tha Kapaj.

Dy anëtarët e nënkomisionit të Sigurisë i ngritur për të monitoruar ecurinë e Vettingut në radhët e Policisë kërkuan ndëshkimi i disa prej anëtarëve të Sekretariatit Teknik, të cilët kanë dhënë dorëheqje në mes të procesit shqyrtimit të dosjeve.

45 dosjet e para për gradën më të lartë në radhët e Policisë së Shtetit priten të paraqiten në seancën dëgjimore. Vettingu i uniformave blu do të jetë i ngjashëm me atë në drejtësi, ndërsa afati përfundimtarë për 250 dosjet është qershori i 2020./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!