Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra kryetaren e Gjykatës Administrative të Durrësit, Marjana Velçani. KPK tha se znj. Velçani nuk mundi të justifikojë pasurinë si dhe u konstatuan probleme në kriterin e porfesionalizimit. Kujtojmë se vetëm 1 javë më parë, kur u hodh shorti në Presidencë për anëtarët e Këshillit të Emerimeve në Drejtësi, znj. Velçani u zgjodh anëtare.
Siç shihet edhe në foton që publikon abcnews.al, Mariana Velçani Idrizi u përzgjodh anëtare zëvendësuese e KED, si përfaqësuese nga Gjykatat Administrative. Detyrë që nuk do mundet ta gëzojë tashmë që KPK e nxjerr nga sistemi i drejtësisë.

Mungesë burimesh për pasuritë
Komisioni e pyeti gjyqtaren për një apartament në qytetin e Beratit me sipërfaqe 111 m2, blerë 3 milionë lekë në prill të vitit 2003. Velçani ka deklaruar si burim krijimi një kredi 20 mijë euro dhe kursime nga të ardhurat nga pagat. Sipas Komisionit, nga kontrata e nënshkruar me palën shitëse, ka rezultuar se 3 milionë lekë janë paguar jashtë zyrës së noterit.
Hetimi administrativ ka evidentuar se kredia në vlerën 20 mijë euro është disbursuar 3 muaj pas blerjes së apartamentit. Sipas Bekteshit, janë evidentuar gjithashtu edhe 7 mandat-pagesa, nga ka rezultuar se janë kryer pagesa edhe në dollarë, e jo në lekë ashtu si është nënshkruar kontrata.
Komisioni ngre dyshime për burimin e apartamentit në fjalë, pasi për kredinë nuk ka rezultuar të jetë vendosur kolateral. Gjithashtu, Bekteshi tha se nuk është shënuar edhe qëllimi i marrjes së kredisë. “Duket se subjekti i rivlerësimit nuk kishe burime të ligjshme financiare për blerjen e apartamentit në vlerën 1.5 milionë lekë”, tha Bekteshi duke ju referuar analizës financiare.
Ajo shtoi se Velçani kishte shpjeguar se paqartësia kishte ndodhur pasi lekët janë marrë jashtë zyrës noteriale dhe kishte pretenduar që lidhur me këtë rrethanë të pyetej edhe administratori i shoqërisë ndërtuese. “KPK e rrëzoi kërkesën, pasi në vitin 2003, si administrator i pallatit ishte një person tjetër dhe jo ai që pretendonte subjekti i rivlerësimit”, theksoi Bekteshi.
Gjatë fjalës së saj në seancën dëgjimore, gyqtarja Mariana Velçani tha se gjithë paqartësitë kanë ardhur nga kontrata e blerjes, pasi 3 milionë lekë janë marrë në dorëzim jashtë zyrës së noterit. Ajo theksoi se kontrata ka qenë e mirëkuptuar nga palët dhe se ka pasur si synim vendosjen e kolateralit për kredinë.
Po kështu u pyet për një apartament me sipërfaqe 109.1 m2 të blerë në Tiranë me kontratë sipërmarrje me vlerë 45 mijë euro në vitin 2009. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Vleçani ka deklaruar një kredi në vlerën 2.7 milionë lekë dhe pjesa tjetër të ardhurat nga paga. Komisioni konstaton se gjyqtarja ka pasur mundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie, por identifikon pasaktësi në mospasqyrimin e garazhit në deklaratën e vitit 2009. Sipas Bekteshit, është konstatuar se shoqëria ka ulur çmimin në vlerën 250 mijë lekë për shkak të kryerjes së disa punimeve nga subjekti.
Mangësi në profesionalizëm
Komisioni identifikoi një sërë problemesh edhe në kriterin e porfesionalizimit. Sipas Bekteshit, gjyqtarja Mariana Velçani, është vlerësuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësorë se ka aftësi mesatare në intepretimin e ligjit, por janë konstatuar probleme në zbatimin e procedurës dhe se nuk përdor praktikat e gjykatave më të larta në vendimet e saj.
Tjetër gjetje është edhe mbajtja e qëndrimeve të ndryshme në gjykime. Në aspektin organizativ Komisioni evidenton tejkalim të afateve në të tetë dosjet e shqyrtuara. Në 4 raste ka rezultuar se ka vepruar bazuar në Porcedurën Civile, ndërsa në një rast në atë Administrative. Bekteshi tha se këto probleme, gjyqtarja Velçani i ka justifikuar me ngarkesën e punës. Ndërkohë, Velçani ka marrë vlerësim pozitiv lidhur me etikën. Nga gjashtë denoncime të kyera nga publiku komisioni ka konstatuar probleme proceduriale në dy raste.
Gjyqtarja Velçani i kundërshtoi gjetjet e Komisionit për profesionalizmin dhe u justifikua me ngarkesën e punës. “Puna ime është profuktive, pavarësisht konstaitmeve të Komisionit. Duke marrë parasysh edhe volumin e dosjeve. Nuk jam dakort me mendimin e KLGJ-së. Jam përpjekur të punoj si i ka hije një gjyqtari. Pushteti gjyqësor është i vetëkontrolluar”, deklaroi ajo.
Bekteshi e pyeti Velçanin se pavarësisht faktit që në vitin 2016 kishte pasur ngarkesë më të lartë, kishte zbatuar procedurën administrative, ndërsa në vitet 2014 e 2015 kishte zbatuar procedurën civile. “Në vitet e para kam pasur më shumë ngarkesa”, tha gjyqtarja Velçani. KPK nuk identifikoi probleme lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës.

