Arta Marku mungon në seancë/ ONM: I zhgënjyer, mungesë lidershipi

schedule11:02 - 3 Korrik, 2018

schedule 11:02 - 3 Korrik, 2018

Mungesa e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme në seancën dëgjimore të vettingut ngjalli reagime negative tek trupi gjykues dhe tek monitoruesi ndërkombëtare. Përmes avokates Marku kërkoi konfirmim në detyre. KPK vlerësoi të pastër pasurinë dhe figurën e kryeprokurores, por pati rezerva në përgatitjen e saj profesionale.

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, nuk guxoi të përballet me treshen gjykuese femërore të Vettingut. Edhe nëse kryeprokurores s’i mungoi guximi, avokatës që e përfaqësonte në sallë i mungoi një justifikim bindës për mungesën.

“Subjekti i rivlerësimit e pa të arsyeshme të mos ishte e pranishme”, tha avokatja Lirime Çukaj.

Mosprania në sallë e njeriut më të rëndësishëm të prokurorisë u vlerësua si mungesë prestigji nga ana e kryesueses Genta Bundo dhe si zhgënjyese nga ana e monitoruesit ndërkombëtar, belgut Teo Jacobs.

Sipas relacionit të lexuar para publikut të përbërë nga stafi i ngushtë i këshilltarëve të Markut, gyqtarë, përfaqësues të ambasadës amerikane dhe gazetarë, kryeprokurorja rezultonte kaluese në filtrin e pasurisë dhe të integritetit. Bashkë me bashkëshortin, ajo zotëronte dy apartamente 103 dhe 60 metër katrorë si edhe një shtesë 9 metër katrorë në proces legalizimi tek i dyti.

Por sita e Vettingut tek kryeprokurorja Marku u bë më e imët tek aftësitë e saj profesionale. Debat ngjalli një dosje e dikurshme, kur Marku si prokurore kishte kërkuar masën ekstreme të sigurisë “arrest në burg” për një qytetar që i kishte dhënë makinës në gjendje të dehur.

“Arta Marku mund të kishte arsyetuar se pse masa ‘arrest në burg’ ishte e nevojshme në këtë rast”, tha trupi gjykues.

Në këtë pikë këmnëguli edhe monitoruesi Teo Jacobs.

“Arta Marku duhet të ishte këtu. Jam i zhgënjyer nga mungesa e saj. Prisja një debat profesional me të. Nuk e shoh këtë si shenjë lidershipi. Unë nuk kam pyetje, por një koment mbi një rast që Marku ka kërkuar dy herë masën ‘arrest në burg’ për një person të ndaluar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi kishte pirë pak më shumë raki. Nuk justifikoj veprën penale, por Arta Marku është e vjetër në detyrë. Ajo e di diferencën mes një çështjeje të rëndësishme apo jo. Kërkesa për burg duhet të jetë e argumentuar me rrezikshmërinë e veprës”.

Duke iu referuar përqindjes së lartë të personave të lënë në masën “arrest në burg”, Jacobs tha se Arta Marku duhet të ndryshojë mentalitetin e prokurorisë, të mendohen dy herë para se të kërkojnë arrest në burg. Avokatja e Markut tha se ishte dakord me komentet, por kaloi topin në tjetër fushë, duke thënë se vendimi përfundimtar në caktimin e masave i përket gjykatës.

KPK komentoi edhe ndryshimet e bëra nga Marku pas ardhjes së saj në detyrë për lëvizjen e disa prokurorëve të komanduar nën argumentin e ristrukturimit. Në komunikimet me KPK, Marku kishte pohuar se veprimet e saj ishin në zbatim të ligjit, por sipas Komisionit, ajo nuk kishte depozituar dokumentacion mbështetës dhe se nga janari e në vijim nuk kishte ndërmarrë asnjë hap për të bërë transparente vendimarrjet e saj në krye të organit të akuzës. Vendimi për Arta Markun do të merret të mërkurën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!