Vettingu, gjyqtari i lartë dhe prokurori i Krimeve me pasuri të pastër

schedule10:41 - 5 Qershor, 2018

schedule 10:41 - 5 Qershor, 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhilloi të martën seancat dëgjimore për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj dhe prokurorin e Krimeve të Rënda, Dritan Prenci. Hetimi administrativ nuk kishte zbuluar asnjë pasaktësi në pasurinë e tyre, figurën apo aftësitë profesionale.

Kur ka gati 10 javë nga nisja e seancave dëgjimore për llogari të procesit të vettingut në drejtësi, të martën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit doli për herë të parë një anëtar i Gjykatës së Lartë.

Edmond Islamaj nuk shoqërohej nga një avokat mbrojtës.

Bazuar në raportet e përcjella nga ILDKPKI-ja, DSIK dhe KLD dhe hetimi i bërë nga Komisioni gjyqtari rezultonte me pasuri të justifikuar, figurë të pastër dhe i aftë profesionalisht.

Ismalaj zotëronte një apartament në Durrës, dhuruar nga prindërit, 1 mijë metër2 truall në Karpen dhe dy llogari bankare me nga 5 dhe 20 mijë euro.

Bashkëjetuesja e tij numëronte një apartament, një garazh dhe një dyqan në Durrës, që kishin si burim trashëgiminë nga familja. Ndërkohë ajo kishte edhe dy garsionere tek Shkëmbi i Kavajës, të cilat i kishte përfituar babai i saj si pronar i tokës.

“Pasuria ime ka ardhur nga gjyshërit tanë, që e kemi trashëguar në pjesë të barabarta dhe jemi munduar ta zhvillojmë”, tha vetë Islamaj para se të kërkone konfirmim në detyrë.

Seanca e radhës shënonte të parin rast të vetimit të një Prokurori të Krimeve të Rënda. Dritan Prençi, i njohur si një nga prokurorët e dosjes “Tahiri”, kërkoi konfirmimin në detyrë, pasi shprehu dakordësi me të gjithë hetimin e kryer nga KPK. Sipas Komisionit, prokurori kishte një apartament në Kashar, të blerë me kredi, një automjet me vlerë 2 mijë euro dhe 1/8 e një sipërfaqeje toke të pandarë të babait të tij në Reç të Dibrës.

Vendimi për Islamajn dhe Prençin do të shpallet në 7 Qershor. Të mërkurën, KPK pritet të shpallë vendimin për prokuroren Anila Leka, ndërsa në 8 Qershor para Komisionit do të dalë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!