Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha theksoi edhe njëherë rëndësinë e vettingut në politikë. Nga foltorja e Kuvendit Basha u shpreh i vendosur për ta çuar përpara këtë nismë, që sipas tij do të pastrojë njëherë e mirë politikën.
Një mesazh kryedemokrati dha edhe për kundërshtarët e këtij procesi në të dy kahet politike. Basha foli për aleanca të fshehta mes atyre që i frikësohen kësaj nisme, ndërsa theksoi se askush nuk do t’i ndalë, duke i quajtur pakicë.
“Që parlamenti, qeveria dhe institucionet e tjera që u përkasin qytetarëve, të punojnë për familjet shqiptare, për problemet e vogla dhe të mëdha që shqetësojnë çdo ditë njerëzit e këtij vendi, duhet të mos jenë strehë për ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe që janë pasuruar në kurriz të tyre, duke marrë vendime dhe ulur e ngritur kartonat në shërbim të krimit apo oligarkisë, në dëm të familjeve shqiptare.
Padyshim e di, që kjo nismë e shumëpritur nga qytetarët, nga disa anatemohet si drakoniane. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle.
I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që ju ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur status quo-në dhe ekuilibrat e vjetër. Por rendi i gjërave ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë.
Prandaj kundërshtarët e vettingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth
Ndërsa të shumtë, në fakt shumicë absolute janë të gjithë ata shqiptare e shqiptarë që përfitojnë nga fundi i makthit të korrupsionit dhe krimit të lidhur me politikën,” tha Basha. g.v/abcnews.al