Vetting në politikë, Spiropali: Basha kërkon të grisë reformën në drejtësi

schedule18:04 - 11 Shtator, 2018

schedule 18:04 - 11 Shtator, 2018

Socialistët janë të gatshëm të hyjnë në bisedime me demokratët për Vettingun në politikë, por vetëm nëse përfshihet edhe hetimi i familjarëve dhe të afërmve të politikanëve. Deklaratën e bëri nënkryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, sipas të cilës propozimi i deritanishëm i opozitës është grisje e reformës në drejtësi.

“Prisnim nga PD sesi do të bënim Vettingun e politikanëve, por edhe të vëllezërve, motrave, kunetërve, fëmijëve, baxhanakëve të politikanëve. Por ata thonë jo. Ne presim që politikanët jo vetëm të shkëputen nga lidhjet me krimin, por edhe të kalojnë në sitë për të ardhurat dhe pasuritë. Lulzim Basha thotë jo. Ne duam që ata që se kalojnë Vettingun të përballen me drejtësinë. Lulzim Basha thotë jo. Shqiptarët duan që Vettingun e politikanëve ta bëjë drejtësia e pavarur. Lulzim Basha thotë jo. Lulëzimi do që kontrollin t’ia bëjë Salianji me Klevisin. Kjo nuk është drejtësia që duam. Ne duam Vetting dhe jemi të hapur për të biseduar për një Vetting të plotë. Ata thonë hajde votojmë diçka që edhe sot vetë thonë që nuk janë gati dhe që për më tepër është hap pas. Propozimi i tyre është ta marrësh reformën në drejtësi dhe ta grisësh. Lulzim Basha mund të ketë frikë nga SPAK-u dhe BKH-ja, por kjo nuk është arsye që ne t’i vemë shkelmin Vettingut që njësoj siç po pastron drejtësinë nga të korruptuarit dhe të paaftët do të pastrojë edhe politikanët”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!