Vetting/ Konfirmohen në detyrë gjyqtari Kurushi dhe prokurori Xholi

schedule09:30 - 10 Dhjetor, 2019

schedule 09:30 - 10 Dhjetor, 2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha mëngjesin e sotëm vendimin për gjyqatrin Klodian Kurushi. KPK vendosi të konfirmojë në detyrë gjyqtarin e Krimeve të Rënda, Kurushi. Disa minuta më pas mori lajmin e mirë dhe prokurori Xholi. Prokurori i Apelit të Tiranës, Genti Xholi kaloi me sukses vettingun duke u konfirmuar në detyrë.

***

Klodian Kurushi ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001 dhe e ka nisur karrierën në drejtësi nga Gjykata e Sarandës. Në nëntor 2005, Kurushi është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 14 vitesh. Ai është gjithashtu  pedagog në Fakultetin e Drejtësisë si dhe ekspert dhe trajnues në Shkollën e Magjistraturës.

Kurushi u vlerësua pozitivisht për figurën dhe profesionalizimin; ndërkohë, Komisioni identifikoi dy gjetje lidhur me veprime të mundshme fiktive në përfitimin e një kredie të butë për të cilat ai dha shpjegime duke mos i konsideruar si të tilla.

Këto gjetje janë identifikuar gjatë verifikimit të një apartamenti në pronësi të Kurushit me sipërfaqe 79.8 m2 në Tiranë, të blerë në vitin 2013 me vlerë totale 6.3 milionë lekë.

Si burim krijimi për këtë pasuri, Kurushi ka deklaruar një kredi me kushte lehtësuese 5 milionë lekë dhe të ardhura nga puna. Nga kredia ka rezultuar të mos jenë shlyer ende 2.5 milionë lekë. Në kontratën e porosisë, është konstatuar se sipërfaqja ka qenë 83.8 m2. Sipas relatores Zhegu, gjyqtari Kurushi ka shpjeguar se diferenca ishte sipërfaqja e përbashkët e zbritur nga kontrata e porosisë. Ndërkohë që për këstin e parë 5 milionë lekë dhe të fundit 1300 euro nuk janë identifikuar problematika, për pagesën e këstit të dytë në shumën 500 mijë lekë.

***

Genti Xholi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si prokuror në Prokurorinë e Tiranës, institucion të cilin e ka drejtuar për një periudhë kohe. Në vitin 2010, ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 9 vitesh.

Sipas relatores Firdes Shuli, prokurori Xholi ka pasqyruar në deklaratën veting një akt noterial për trashëgiminë e përfituar nga gjyshi i ndjerë, truall me sipërfaqe 303 m2 dhe të një shtëpie. Sipas Komisionit, kjo pronë i përkiste gjyshit të prokurorit Xholi dhe është konkluduar se deklarimet e tij përputhen me dokumentacionet e verifikuara. Shuli tha se nuk rezulton që lidhur me këtë pronë të ketë konflikte për shkak të trashëgimisë.

Komisioni identifikon paqartësi për likuidimin e vlerës së një apartamenti me sipërfaqe 146.3 m2 të blerë për vlerën 4 milionë lekë në vitin 2010 në Pogradec. Sipas relatores Shuli, subjekti ka shpjeguar se 3 milionë i ka paguar kur ka lidhur kontratën, kurse 1 milion 15 ditë më vonë kur bashkëshortja ka marrë një kredi. Në fjalën e tij, prokurori Xholi sqaroi se kishte një diferencë kohore 15 ditë për një pjesë të vlerës, pasi shuma 3 milionë ishte depozituar në fillim. Ai pohoi se bashkëshortja punonte në Raiffeisen Bank dhe për këtë arsye e përfitonte kredinë për një kohë të shkurtër dhe pa kolateral.

/Abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!