Këshilli i Qarkut në Kukës, i heq titullin “Nderi i Qarkut Kukës” shkrimtarit dhe publicistit, Veton Surroi.
Për këtë vendim ka ardhur një reagim nga Kryeministri Edi Rama, i cili e konsideron përveçse një veprim absurd edhe një “lajthitje kolektive”, ndërsa shprehet se Parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve.
Lexo edhe: Këshilli Bashkiak i Kukësit i heq titullin “Qytetar Nderi” Veton Surroit
Statusi i kryeministrit Edi Rama:
“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve.
Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftërave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd”, shkruan Rama.
Ndërkohë sipas kryetarit të Këshillit, Abdulla Domi, vendimi është marrë si rrjedhojë e kërkesës drejtuar Këshillit të Qarkut nga dy intelektualë të Kukësit ,të cilët sipas Domit kanë paraqitur edhe argumentet përkatës.
Ndërsa, për kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjicin, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Qarkut, heqja e titullit është vendosur për shkak të fushatës mediatike dhe politike që Veton Surroi po bën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ai po bën fushat politike e mediatike kundra ushtarëve dhe ne nuk mund ta pranojmë këtë “Nder i Qarkut”. Duhet ta heqim sot dhe le të shkojë ta çojë në gjykatë”, është shprehur Gjici.
Ky titull i është dhënë Surroit nga Këshilli i Qarkut Kukës në vitin 2015, me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.
/abcnews.al/