Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi seancën degjimore me prokuroren e Apelit në Tiranë, Fatjona Memçaj. Bazuar në raportet e përcjella në KPK dhe në hetimin e thelluar, Memçaj justifikonte pasurinë, si dhe plotësonte dy kriteret e tjera të Vettingut.
Prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj, qëndroi vetëm 13 minuta përballë treshes gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimi. Kaq zgjati gjithë seanca dëgjimore e së hënës për prokuroren, që duket se do ta kalojë me sukses procesin e Vettingut.
Sinjalet pozitive u kuptuan gjatë relatimit të hetimit administrativ për Memçajn, që përfshinte të tre kriteret e vlerësimit: pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale.
Në raportin e përcjellë në KPK, Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave konfirmonte deklarimet të sakta dhe pasuri të justifikuar në burime të ligjshme për prokuroren. Kjo pasuri përbëhej nga një apartament banimi 94 m2, një automjet, një motor “vespa” dhe llogaritë bankare të saj dhe bashkëshortit.
Pasuria e saj kishte rezultuar e pastër dhe e justifikuar edhe nga hetimi i thelluar i KPK-së. Më tej, u relatua nota pozitive e dhënë edhe nga Drejtoria e Sigurimit të informacionit të Klasifikuar, për mungesë të kontakteve me persona të ingriminuar, si edhe nga KLD për aftësi profesionale të përshtatshme. Gjatë hetimit të Memçajt, ishin shqyrtyar edhe dy denoncime qytetarësh për të.
Të drejtën e saj të fjalës dhe dhënies së shpjegimeve Memçaj e mbylli me tre fjali.
“Falenderoj Komisionin për korrektësinë e treguar. Rezultatet e hetimi të drejta dhe korrekte, nuk kam asnjë kontestim. Kërkoj konfirmimin tim në detyrë”, tha Memçaj.
Vendimi përfundimtar ndaj saj do të shpallet në 3 Maj. Deri më tani, nga gjashtë persona që kanë dalë para Komisionit të Pavarur të kualifikimit, vetëm anëtarja e Kushtetueses, Vitore Tusha, është rikonfirmuar në detyrë./abcnews.al