Vetingu, ABC News mëson 6 emrat e deputetëve në Komisionin e Venecias

schedule13:38 - 5 Dhjetor, 2018

schedule 13:38 - 5 Dhjetor, 2018

Komisioni i Venecias ka sjellë një opinion paraprak mbi propozimin e opozitës për vettingun në politikë. E bëri të ditur kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi në mbledhjen e përbashkët të këshillit të legjislacionit e komisionit të ligjeve. Kuvendi ende nuk ka zbardhur dokumentin e Venecias, por burime për ABC News bëjnë me dije se në dokumentin konfidencial për grupin e punës, ekspertët e Venecias thonë se propozimi cënon të drejtën për t’u zgjedhur dhe është e paqartë se si do realizohet vettingu e nga kush. Sidoqoftë pas një ftese nga Komisioni i Venecias për Kuvendin për konsultim mbi këtë amendament kushtetues, kreu i Kuvendit bëri të ditur, se gjashtë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, tre nga mazhoranca e tre nga opozita do shkojnë në Komisionin e Venecias, për të mbrojtur pikëpamjet e tyre për propozimin e opozitës për vettingun në politikë. Mazhoranca do të përfaqësohet nga Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Klotilda Bushka, ndërsa nga opozita do jenë Oerd Bylykbashi, Gazment Bardhi dhe Silva Caka.

Në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit me Komisionin e ligjeve, u dëgjuan opinionet e ekspertëve konstitucionalistë, Artur Metani për socialistët e Gazment Bardhi për opozitën, mbi propozimin për vettingun në politikë. Metani tha se projektligji i opozitës nuk është në përputhje me konventën europiane të të drejtave të njeriut dhe ka paqartësi, se cila do jetë struktura që do bëjë vettingun. Ndërsa Gazment Bardhi tha se kufizimi me ligj i të drejtave të caktuara politike është i pranueshem, kur kufizon ndikime qoftë edhe kriminale. Sipas tij, amendamendi kushtetues nuk parashikon organin që do bëjë verifikimin, pasi këtë do ta bëjë një organ ekzistues kushtetues. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!