Atletika shqiptare fitoi 5 medalje në kampionatin ballkanik të veteranëve në atletikë. Nexhat Xhemalçe u shpall dy herë kampion i Ballkanit në moshën 83-vjeçare.
Suksesi ishte individual dhe ekipor. Pesë medalje gjithsej për veteranët shqiptarë në Kampionatin Ballkanik të Atletikës për moshën e tyre, zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë. Më i miri për ekipin kuqezi ishte Nexhat Xhemalçe, me moshë 83 vjeç, që fitoi dy medalje ari.
Xhemalçe u shpall kampion i Ballkanit në 5 000 metra dhe në gjysmëmaratonë, duke treguar formë të shkëlqyer pavarësisht moshës vërtet të madhe. Veterani tjetër, Rudin Bektashi mori medalje argjendi, duke zënë vendin e dytë në garën e 110 metrave me pengesa në kategorinë deri 45 vjeç.
Gjithashtu, medalje argjendi edhe për përfaqësuesin tjetër të kombëtares së veteranëve, Dashamir Cali në gjysmëmaratonë, veçse në kategorinë e moshës deri 60 vjeç. Paraqitje shumë e mirë për Gilman Drishtin në moshën deri 65 vjeç, që zuri vendin e katërt në gjysmëmaratonë, ndërsa atleti tjetër veteran, Ilir Karanxha ishte i dëmtuar.
Shqipëria fitoi vendin e tretë si ekip, pra medaljet e bronzit, në gjysmëmaratonën deri 60 vjeç. Një sukses tjetër i atletikës sonë ishte fakti se kampionati I ardhshëm ballkanik për veteran, do të zhvillohet në Korçë në Shtator 2020./ABC News Albania 24/7