“Vetëndryshimi dhe Fatos Nano”, Rama: Si i zgjodhëm emrat e kandidatëve për mandatin e tretë

schedule18:45 - 8 Mars, 2021

schedule 18:45 - 8 Mars, 2021

Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme rrëfeu si janë përzgjedhur emrat e kandidatëve për deputetë.

Sot do të zyrtarizojmë në Kryesinë e Partisë formacionin për ndeshjen e 25 prillit. Dua të ndaj me publikun disa fjalë mbi procesin dhe objektivat tona. Vetëndryshimi është pika e parë sipas meje e manualit të PS-së që e kishte si pikë referimi Fatos Nanon më parë dhe unë jam përpjekur ta forcoj me bindjen se kjo fuqi, fuqia e vetëndryshimit e bëjnë PS forcë të paplakshme dhe pa konkurrueshme në arenën politike të Shqipërisë.

Ne jemi në krye të konkurrencës politike dhe mbetemi alternativa më e pëlqyer e shqiptarëve, pavarësisht se nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka. Për të ardhur deri këtu, seleksionimit të lojtarëve ne i kemi vendosur prej kohësh piketat dhe kemi integruar në këtë proces një mekanizëm të ri, platformën ‘Deputeti që duam’. Procesi ka pasur si bosht udhëheqësit e qarqeve.

Bazuar në një hulumtim të vëmendshëm të pritshmërive të publikut, por edhe anketimeve në shkallë qarku dhe kombëtare. Në gjithë formimin e skuadrës kemi pasur në vëmendje karakteristikat e kundërshtarëve dhe ballafaqimin analitik mes lojtarëve. Pa diskutim, një pjesë e rëndësishme në këtë proces ka qenë edhe mbledhja e gjykimeve dhe paragjykimeve ndaj nesh duke ndjekur edhe rrjetet sociale. Në fund, jo për nga rëndësia, udhërrëfyes për ne kanë qenë objektivat dhe mbi bazë të gjithë këtyre kemi përcaktuar objektivat për cdo qark dhe nivel kombëtar. Ne jemi forca që qeveris dhe që do të qeverisë.

E pra ne duhet të garantojmë suksesin, që ne nuk na lejohet që të bëjmë skuadra dhe programe elektorale sa për të marrë votat, kap cfarë të kapësh, ta hajë kush ta hajë. Një skuadër të fortë në zgjedhje dhe qeverisje. Me një program të mirë për t’u dëgjuar dhe të mirë për t’u zbatuar gjatë ushtrimit të mandatit të tretë. Skuadrat janë produkt i propozimit të drejtuesve të qarqeve, si më parë, por këtë herë procesi ka qenë më i strukturuar.

Unë vetë jam njohur dje dhe sot me draftet e formacionit të secilit qark, kam ndihmuar me disa propozime, por që jo në të gjitha rastet janë përfshirë, pasi drejtuesit përkatës kanë bërë hulumtimet e tyre dhe kanë sjellë argumente bindës përse nuk duhen përfshirë si dhe kam koordinuar konsensus për pak lëvizje nga qarku në qark për të plotësuar më mirë profilin e skuadrës” tha Rama./ db/ Abcnews.al