“Vetëm 4 nxënës dinë shumë mirë shqip”, Mehmeti: Duhet një analizë e thellë në arsim

schedule12:24 - 27 Qershor, 2022

schedule 12:24 - 27 Qershor, 2022

Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti ka ngritur shqetësimin për daljen e tezave të provimeve të maturës. Në një intervistë në ABC Live, Mehmeti tha se ende nuk ka një të ndëshkuar.

Eksperti e cilësoi gjithashtu alarmante faktin që vetëm katër maturantë arritën të merrnin notën 10 në provimin e gjuhës shqipe dhe letërsisë.

“Kush janë këta që kanë lejuar këtë hajdutllëk? Të marrësh tezë dhe të kopjosh. Për disa është mburrje. Këtë analizë ministrja nuk na  e bën dot. Çdo të thotë që kanë dalë shumë mirë. Nuk na bën dot analizën që vetëm 4 maturantë dinë shumë mirë gjuhën shqipe. Kjo është qesharake. Kështu është shifra. Si ka mundësi që në një qark të vogël marrin 200 dhjeta. Duket se në periferi kemi një mësim më cilësor. A janë po jo të vërteta këtë nuk e dimë. Ministrja e mbylli analizën e maturës. Faji i mbetet prapë nxënësve”, tha ai.

Mehmeti u ndal më tej te kriteret e pranimit në universitet, ndërsa theksoi se duhet në analizë e thellë e sistemit arsimor në vend.

“Grykë në hyrje dhe hinkë në dalë. Kështu duhet të jetë. Si në Itali që shkojnë 1 mijë veta dhe përfundojnë 150 veta. Ne i kemi ushqyer me korrupsion fëmijët që në klasë të parë. prindërit paguajnë mësues që i mbajnë se s’kanë ku i mbajnë. Shkolla jonë është e hapur vetëm 4 orë dhe pastaj mbyllet. Duhet të ketë veprimtari argëtuese. Ne kemi një grup fëmijësh që për fat të keq toni që po rritet që kanë probleme dhe nevoja ndryshe.

Ne kemi nevojë për një analizë të thellë të sistemit. Të ulemi dhe të bëjmë një kornizë se çfarë do bëjmë me arsimin 30 vjet.

Pasojat tani do të jenë edhe më të dukshme. Prandaj them do analizë të thellë. Duhet të shikojmë sa studentë do të çojmë në programe të ndryshe dhe të shikojmë si dalin me rezultatet. Nuk është faji i tyre që s’kanë bërë mësim”, tha Mehmeti. g.v/abcnews.al