Vetëm 2 javë në postin e zv/ministrit, Muka: Do vijoj betejën për arsimin

schedule20:40 - 20 Nëntor, 2018

schedule 20:40 - 20 Nëntor, 2018

Taulant Muka, i cili dha dorëheqjen dy javë pasi u emërua në postin e zv/ministrit të Arsimit ishte i ftuari i parë i emisionit “Provokacija” në ABC News. I lindur në Skrapar, i vendosur në vitin 2000 në Tiranë ku mbaroi studimet për Mjekësi, për t’i vijuar më pas masterin në Roterdam dhe me eksperienca të fundit në Kembrixh e Harvard, Muka shpjegon arsyet e kthimit në Shqipëri, si një betejë për arsimin dhe për dijen.

“Sepse kam pasur pasion arsimin dhe për të përmirësuar arsimin në Shqipëri. Për të rritur cilësinë në arsim e shkencë duke pasur parasysh eksperiencën, mu premtua për të bërë ndryshimin nga kryeministri i vendit nga takimi individual. Kërkova kompetenca të plota duke ditur si funksionon shteti shqiptar, dëshiroja pavarësinë time institucionale. Të evidentoja personat e vërtetë akademikë dhe të merrja këshilla nga ata, se akademik nuk të bën mënyra si flet në televizion, por të bën puna kërkimore”.

Propozimi i tij ishte reforma në arsim dhe kryesisht në nivelet drejtuese të universitetit, bazuar në meritokraci.

“Unë propozoja që nëse ne kemi 10 mijë pedagogë, ndoshta një pjesë e vogël i plotësonin kriteret dhe propozimi im ishte të merreshim me drejtuesit e universiteteve, rektorët, dekanët dhe shefat e departamenteve. Këta ne nuk duhet t’i lejonim nëse nuk kishin karrierë akademike të ngritur mbi meritokraci”.

Postin e zëvendësministrit ia propozoi Kryeministri, por ai thekson si ky emërim ishte anormal, çka e bëri që të mos qëndrojë më shumë se 9 ditë në këtë post, ndërsa shtetin e konsideron shtet whatsapp.

“Ishte anormal dhe unë në atë takim shkova me 4 persona të tjerë që i kisha propozuar si emra për komision për rishikim të titujve akademikë dhe kryeministri më tha që do të jap të gjitha kompetencat për ta bërë këtë gjë dhe parimisht rashë dakord. I kam kërkuar takim për të qartësuar se çfarë është pozicioni i zv/ministrit dhe a më jepeshin ato të drejta që mu premtuan, nuk më erdhi kurrë ai takim dhe u emërova zv/ministër.

Unë aty pashë atë që kisha frikë, të cilën e vërtetova jo më shumë se 9 ditë, se këtu nuk ka një protokoll se ç’bën ky person në ditën e parë të punës, kërkova dokumenta dhe nuk mi dhanë  dhe aty kuptova, që nuk isha në shtëpinë time dhe as në atë ambjent që më ishte premtuar.

Aty kishte një problem që nuk mund të protokolloheshin dokumentat, unë nuk mund ta protokolloja një takim, se mënyra si funksiononte ishte që unë të premtoj dhe ti nuk ke asnjë dokument dhe nesër ti nuk ke asnjë të drejtë të më kërkosh mua asnjë gjë pasi nuk është e dokumentuar”.

Muka thekson se në Shqipëri ka potenciale, por që nuk shfrytëzohen dhe bëjnë punë mekanike. Ai përmend edhe shkencëtarët që kanë bërë punë kërkimore, ndërsa thekson se në Shqipëri ka koncepte të gabuara me të cilat nuk bën kompromise.

“Në Shqipëri ka potenciale që ne i lëmë të flenë, në ministri ishin dy të rinj që bënin punë mekanike. I mora djemtë dhe u thashë më nxirrni listën e profesorëve dhe t’i rankojmë sipas produktit shkencor. Kë kemi shkencëtarë se ne kemi shkencëtarë, se ne si komb nuk e pëlqejmë suksesin e një shqiptari. Kur është brenda në Shqipëri ne e përbaltim figurën e shkencëtarit.

Ke Alban Dibrën që ka një indeks që e vlerëson produktin shkencor nga ana sasiore dhe cilësore dhe ka AG indeksin 27 që në Amerikë me 18 bëhesh profesor dhe profesor të bën puna kërkimore, se ne nuk e dimë punën shkencore. Ne ngatërrojmë Dritero Agollin me shkencën nuk ka lidhje Akademia e Shkencave me Agollin.

Teknologjia u zhvillua nga puna kërkimore, me punë kërkimore bëhet çdo gjë dhë unë me ato koncepte nuk bëj kompromise. Unë kisha ardhur me ato koncepte që bota perëndimore ka”.

I pyetur nëse Rama e propozon për deputet, Muka shprehet se nuk bëhet pjesë e politikës, por betejën për dijen dhe arsimin në Shqipëri do e vazhdojë edhe jashtë vendit.

“Nuk bëhem pjesë e politikës, nëse kryemisnitri ka dëshirë të bëjë reforma në arsimin e lartë ka mënyra të tjera që unë mund të kontribuoj, por unë pjesë e politikës nuk bëhem. E provova dhe nuk do rezistoj më shumë se 9 ditë”.

Sipas tij Akademia e Shkencave nuk mund të bëhet me persona që nuk kanë produkt shkencor.

“Akademia e Shkencave shërben si organ këshillues nuk mund të bëhet me persona që kanë zero produkt shkencor. Më erdhi profesor Gjinushi dhe i tregova një grafik të thjeshtë; nga ju 30 anëtarë, 27 kanë zero produkt shkencor. Si është e mundur që nuk përmendet produkti shkencor, kurse Fuga ka paraqitur një draft vizionar ka nevojë për rishikim, por është shumë herë më i mirë se ai i paraqitur nga Akademia e Shkencave”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!