Kreshnik Farruku Budlla, një person i kërkuar ndërkombeëtarisht është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit. Ai është kreu i klanit Farruku, i njohur për aktivitetet kriminale.
Burime nga policia e Durrësit thanë për ABC News se Budlla është dorëzuar mbrëmjen e së hënës në drejtorinë e policisë bashkë me avokatin e tij. Mësohet se Budlla ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, spanjolle dhe holandeze për trafikim të lëndëve narkotike.
Pas vetëdorëzimit të tij, vijojnë procedurat për ekstradimin e Budllës drejt shtetit italian.
Në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme ka konfiskuar 27 pasuri të këtij klani, të regjistruara në emër të Kreshnik Farrukut dhe vëllait Erneo Farrukut.
Ndër pasuritë e konfiskuara numërohen disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete dhe biznese.
Pasuritë janë sekuestruar për arsye të dyshimeve se janë përfituar nga aktivitete kriminale, duke përfshirë trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave.
Dy vëllezërit drejtonin klanin Farruku, grup që u godit në Spanjë në vitin 2023 pas një megaoperacion kundër trafikut të kokainës. Në megaoperacionin e 2023 u kap 2 ton kokainë që dyshohet se ishte porositur nga klani Farruku në Ekuador dhe do futej në Spanjë.
Kreshnik Farruku Budlla është shqiptari me 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë dhe me pasuri mbi 1 milion euro./abcnews.al