Veshja tradicionale Myzeqare, ekspertët: Duhet marrë në mbrojtje

schedule14:08 / 16/12/2018

E krijuar me mjeshtëri deri në detaje, pa kontraste të forta, prodhuar në tezgjah, kjo veshje tradicionale i mbijetoi shekujve dhe është shndërruar në trend. Por duke qenë e lakmuar, guna po ekspozohet edhe ndaj imitimit dhe kopjimit amator.

Guna me rrëké, e quajtur kështu për shkak të vijave që simbolizojnë rrëketë e ujit, për ekspertët është unike dhe duhet duhet marrë në mbrojtje pse jo edhe në nivel ndërkombëtar.

Maksim Zarka: “Është e vetmja si ndërtim, si ngjyrë, si lloj, si model në Shqipëri, në Ballkan dhe në Europë. Nuk ka një të dytë Gunë me rrëké, ka vetëm në Myzeqe. Pra është unike.”

Veshjet e fundit të prodhuara mjeshtërisht u realiziuan nga një grup i posaçëm artizanësh i ngritur nga autoritetet e kohës 30 vjet më parë. Tani që mjeshtrat nuk janë më, bashkia mund të bëjë vetëm një gjë, ta ruajë dhe promovojë këtë aset.

Adriana Mile, drejtoreshë e turizmit: “Kjo është origjinalja, kjo është unikja, kjo është tradita që ne duhet ta përcjellim ta ballafaqojmë me ato prurjet që nuk janë tradita. Duke i përballin me njëra-tjetrën, i gjithë komuniteti që sjell kulturën ta shikojnë këtë model të traditës dhe ta kopjojnë siç është.”

Vetëm 12 kostume janë ruajtur nga kjo trashëgimi. Mes tyre guri i kurorës, veshja e nusërise, me rëkè të bardha dhe një gunë e eskpozuar në zyrën e kryebashkiakut, janë kopje unike 120 vjeçare. Të tjerat janë riprodhim nga modeli origjinal. Finesa deri në detaje, stili dhe mjeshtëria në krijim, justifikojnë pasionin e studiuesve të saj.

“Guna me rrëké është princesha e veshjes Myzeqare, krenaria e veshjes toske dhe perla e Shqipërisë. Këtë duhet ta kuptojnë mirë të gjithë entografët. Kjo është një pasuri jo vetëm Myzeqare, por kombëtare.”

Mes një beteje të vazhdueshme ku folklori shërben si provë e popujve autoktonë dhe pavarësisht kopjimeve brenda vendit, veshja myzeqare i ka shpëtuar deri tani plagjiaturave nacionaliste.

“Dokumentat për Gunën me rrëké na i jep shumë mirë Kodiku i Manastirit. Aty do të gjeni se në pajën e çdo vajze Myzeqare ishte dhe Guna me rrëké.”

Si veshje tipike ceremoniale, guna bashkë me fustanellën myzeqare, kanë lënë mbresa edhe te udhëtarë të famshëm si Edit Durham. Guna, mendohet të datojë 120 vjet më parë por studiuesit thonë se origjina është më e hershme se kaq. Vitet e fundit është riprodhuar në masë në mënyrë amatore për tu përdorur si veshje tradiocinale në tregun e muzikës folklorike. Në kushtet kur mungojnë artizanët për riprodhimin e modelit origjinal, guna me rrëke rrezikon të zhduket ose të deformohet nga kopjimet jo profesionale./abcnews.al

schedule14:08 / 16/12/2018