Verstappen, “mbreti” i Formula 1/ Holandezi fiton titullin në Çmimin e Madh të SHBA-ve, Piloti i Red Bull kampion për herën e 4-t

schedule16:16 - 24 Nëntor, 2024

schedule 16:16 - 24 Nëntor, 2024

Nuk ishte një spektakël, por kurorëzimi erdhi.

Maks Verstapen është sërish kampion I botës në Formula 1, duke fituar titullin për herë të katërt, e duke u ngjitur në Olimpin e më të mëdhenjve të këtij sporti.

Piloti holandez ia doli në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Las Vegas, edhe pse makina e tij Red Bull nuk ishte më e mira.

E tregon fare qartë fakti se ai arriti I pesti në finish, por gjithsesi mundi të linte prapa rivalin e vetëm që kishte për titull, anglezin Lando Norris të Meklarenit që doli I gjashti.

Diferenca në renditje është 63 pikë, ndërsa në dispozicion janë edhe 60.

Në Las Vegas triumfi I takoi anglezit tjetër, Xhorxh Rasëll, me Mercedes, që la pas shokun e ekipit, legjendën Ljuis Hamilton.

Pas tyre ishin pilotët e Ferrarit, Sainz e Leklerk.

Verstapen bashkohet me gjigandë të tillë të Formula 1 si Alen Prost dhe Sebastian Fetel, me nga katër titujt.

Përpara tij janë Huan Manuel Fangio me 5, si dhe Mikael Shumaher e Ljuis Hamilton me nga 7.

Duke qenë 27 vjeç, “Holandezi fluturues” ndoshta do t’i arrijë apo t’i kalojë për të synuar rekordet e shpejtësisë.

Gjithsesi, sfida do të jetë që makina Red Bull të mbetet konkurruese, ose të kalojë në një ekip tjetër. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!