Verstappen kërkon t’i “rrëmebejë” Hamilton, triumfin në “Silverstone”

schedule08:16 - 8 Korrik, 2023

schedule 08:16 - 8 Korrik, 2023

Drejtuesit e Formulas 1 po bëjnë çmos për të ndryshuar, me synimin për të shtuar rivalitetin ndërmjet skuadrave, megjithatë ekipi Red Bull për momentin duket sikur vjen nga hapësira, nga ndonjë planet tjetër dhe në mënyrë të kuptueshme nëse nuk ndodh diçka e jashtëzakonshme holandezi Max Verstappen që tani mund të konsiderohet si kampion i trefishtë në kompeticionin më të shpejtë të botës së automobilizmit.

Sezonin e shkuar “holandezi fluturues” regjistroi plot 15 fitore në 22 garat e zhvilluara. E përkthyer ndryshe një statistikë e tillë vlen 68,18% , pra e thënë në një mënyrë shumë më të thjeshtë kampioni në fuqi i Formulës 1 arriti të triumfojë edicionin e kaluar në më shumë se 2/3 e garave të programuara në kalendar.

Sivjet pavarësisht përpjekjeve të mëdha të Ferrari-t apo dhe drejtuesve të ekipit Mercedes për të përmirësuar makinat e tyre diferenca në vend që të ngushtohet duket sikur po zmadhohet gjithmonë e më tepër, por mbi të gjitha është shumë e vështirë për të kuptuar se deri në c’masë po sforcohet në të vërtetë ekipi austriak.

Sforcim ngjan si një fjalë e madhe që ndoshta nuk përkon me realitetin, nëse vihet re lehtësia me të cilën njëvendëshet Red Bull komandojnë garat.

Skuadrat janë zhvendosur në Azi, Australi, Evropë dhe Amerikën e Veriut, megjithatë drejtuesit e ekipit austriak nuk po dinë të ndalen. Skuadra Red Bull për momentin ka fituar në të gjithë kontinentet ku është garuar, e mbi të gjitha aty ku nuk ia ka dalë dot 25-vjeçari holandez ka qenë meksikani Sergio Perez që ka bërë më së miri detyrën e tij.

Checo triumfoi në dy nga katër etapat e para të edicionit të 74 të Formulës 1, në Çmimet e Mëdha në Arabinë Saudite dhe Azerbajxhan, duke lënë menjëherë pas vetes pikërisht shokun e tij të skuadrës. Natyrisht në botën aktuale të Formulës 1 armiku kryesor konsiderohet kolegu apo partneri i ekipit dhe duke pasur parasysh edhe gjërat e mbartura nga fundi i sezonit të kaluar u duk sikur ndërmjet dy pilotëve Max Verstappen e Sergio Perez kishte qejfmbetje.

Checo la të kuptohet për mediat e ndryshme se drejtuesit e skuadrës austriake po ndihmonin pikërisht 2 herë kampionin e botës në kurriz të tij, gjithsesi koha vërtetoi të kundërtën, duke I dhënë të drejtë pilotit holandez.

Nëse në gjysmën e parë të vitit 2023 Verstappen nuk ka rënë poshtë vendit të dytë në krahun tjetër 33-vjeçari nga Guadalajara i ka mbyllur 4 nga 9 garat e para të sezonit jashtë podiumit, ku sigurisht spikat rezultati i Çmimit të Madh të Montecarlos, ku Checo u pozicionua në vendin e 16.

Në rrugët e Principatës Sergio Perez e përfundoi aventurën e tij dy xhiro prapa Verstappen-it dhe situata në klasifikimin e përgjithshëm të pilotëve është domethënëse. Pas nëntë garave të para Max Verstappen ka grumbulluar 229 pikë, plot 81 pikë më shumë se shoku i tij i ekipit. Pa u mbushur ende gjysma e kampionatit ekipi Red Bull Racing vijon të dominojë sezonin, duke i fituar që të gjitha garat në dispozicion.

Në renditjen e botërorit të konstruktorëve skuadra austriake udhëheq me 377 pikë, pra më shumë se dyfishin e pikëve krahasuar me rendimentin e ndjekësve më të afërt. Aktualisht ekipet Mercedes e Aston Martin klasifikohen në vendin e dytë dhe të tretë me nga 178 e 175 pikë ndërsa Ferrari që konsiderohet edhe si skuadra më e suksesshme në historinë e Formulës 1 pozicionohet vetëm në vendin e katërt, në kuotën e 154 pikëve.

Pra hegjemonia e Red Bull-it është e qartë dhe ky sezon mund të përfaqësojë fare mirë një tjetër vit rekordesh. Fundjavën e kaluar pati polemika të shumta dhe gjoba për pilotë të ndryshëm që tejkaluan limitet e shpejtësisë nëpër kthesa të caktuara, duke hapur në njëfarë mënyre plagë të vjetra për pilotët, sidoqoftë probleme të tilla nuk pati aspak skuadra Red Bull, që dominoi pothuajse në çdo aspekt garën e shtëpisë.

E vetmja notë negative në Spielberg ndoshta ishte vendi i dytë i meksikanit Sergio Perez, sepse për të tjerat mendoi kampioni në fuqi që fitoi gjithçka mund të fitohej. Duke lënë mënjanë superioritetin e njëvendësheve Red Bull bën përshtypje gjithsesi edhe zotësia e Verstappen-it për të kontrolluar çdo lloj situate.

Kështu, për shembull, në Çmimin e Madh të Austrisë me shumë arrogancë kampioni në fuqi pati kohë në fund të garës edhe për të bërë një pit stop shtesë, për të ndërruar gomat me objektivin për të marrë edhe pikën ekstra për xhiron më të shpejtë, pasi u nis nga pole position dhe triumfoi gjithashtu edhe në garën e sprintit.

Këtë fundjavë synohet triumfi në pistën legjendare të Silverstonit, ku skuadra austrike ka dështuar për të fituar në dekadën e fundit. Sukseset e fundit të Red Bull-it në Cmimin e Madh të Britanisë janë arritur nga gjermani Sebastian Vettel në vitin 2009 dhe australiani Mark Webber në sezonet 2010 e 2012.

Pra vetëm tre fitore gjithsej për ekipin austriak, kështu që holandezi Max Verstappen do të japë maksimumin për të vazhduar rrugën e sukseseve dhe shënuar emrin e tij në këtë pistë mitike të Formulës 1.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!