Veriu i Kosovës, letra e ambasadës britanike alarmon Serbinë

schedule19:30 - 3 Prill, 2019

schedule 19:30 - 3 Prill, 2019

Një rekomandim i ambasadës britanike për shmangien e udhëtimeve në veri të Kosovës ka alarmuar Serbinë, që ka akuzuar Prishtinën se po nxit tensione në këtë zonë. Por në reagimin e saj qeveria e Kosovës ka bërë me dijie se situata është e qetë dhe se letra e ambasadës britanike është keqkuptuar.

Një letër që ambasada britanike në Kosovë ua ka dërguar qytetarëve të  saj që të shmangin udhëtimet në veri të Kosovës ka shtyrë që të reagojnë krerët e shtetit serb. Presidenti serb ka thënë se ka frikë nga situata në Kosovë, për të cilën sipas tij flitet çdo ditë, dhe se nuk ka zgjidhje për problemin e Kosovës, ndërsa ministri i Jashtëm Daçiç për këtë situatë ka akuzuar qeverinë e Kosovës. Por menjeherë ka reaguar ambasada britanike në Kosovë. Përmes një statusi në Facebook ajo ka sqaruar se tash e disa vjet ka këshilluar të shmangen udhëtimet në komunat veriore, përpos atyre të domosdoshme për shkak të një numri incidentesh të dhunshme të kohëve të fundit të lidhura me krimin e organizuar në veri të Kosovës.

Ndërsa ka mohuar raportimet e ndryshme në media se Britania e Madhe ka këshilluar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në Kosovë. Për nënkryetarin e Komisionit Parlamentar për Siguri, Rexhep Selimi situata në veri asnjëherë nuk është e sigurtë për qytetarët e tjerë pos për serbët, qofshin ata të Kosovës apo Serbisë.

Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të komentojë lidhur me këtë çështje, duke thënë se është prononcuar ambasada britanike. Ndërsa Policia e Kosovës, në një përgjigje për TV Klan ka thënë se situata është e qetë dhe stabile në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!