Në pak minuta secili prej nesh mund të verifikojë online të dhënat e automjetit që duam të blejmë jashtë vendit, ose edhe të atyre të blera tashmë. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ofron një faqe të dedikuar, ku me targën apo numrin e shasisë, mund të mësojmë historinë e automjetit.
Të gjithë ata që duan të blejnë një automjet të përdorur jashtë vendit, tashmë kanë mundësinë që të bëjnë vetë verifikimin paraprak mbi prejardhjen e tij, si dhe disa detaje të tjera të rëndësishme.
Falë opsionit që ofron Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në faqen e saj ne internet, çdokush mund të bëje verifikimin online në seksionin përkatës, vetëm me anë të targës ose numrit të shasisë së automjetit.
“Në drejtoritë tona rajonale paraqiteshin me dokumentacion mjete që pas një verifikimi tonë të thjeshtë në këto website që ne kemi hapur konstatonim mospërputhje të dokumentacionit. Me anë të numrit të shasisë kishte mospërputhje në kategoritë mjedisore. Kishte mospërputhje në kubikët e mjetit. Këtë e vërtetojmë me anë të këtyre akseseve që kemi te këto ligje. Çdokush ka të drejtë të bëjë atë që bënim ne. Futet në linqe dhe ka të drejtën që të kontrollojë për një mjet. Më pas, të dhëna të tjera më të detajuara, si kilometrazhi, pronësia, sa aksidente ka pësuar ky mjet janë të dhëna që gjenden në një fazë të dytë, po në këto website. Po të shihni strukturën që kemi ruajtur ka qenë ndarja sipas shteteve. Sepse secili kur importohet në Shqipëri ka dokumentacion të ndryshëm”, tha Ema Koçi, Drejtuese e Njësisë së Projekteve Speciale.
Por a pritet që në këtë faqe të dedikuar të ketë edhe shërbime të tjera, të cilat do e lehtësojnë edhe më shumë tregtinë e automjeteve të importuara?
“Hapi i radhës, të hapësh sistemin tonë të DPSHTRR, por edhe ndërlidhja me institucione të tjera. Të krijosh një dritare të vetme ku çdo qytetar të futet dhe të kërkojë të dhëna për mjetin që do blejë”, tha Ema Koçi.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, sapo ky shërbim i ri është bërë funksional, ka qenë i shumtë numri i shqiptarëve, të cilët kanë kontrolluar historikun e automjetit të tyre online./ABC News Albania 24/7