Verifikimet për dënimin, Valdrin Pjetri jep shenjat e gishtave

schedule14:26 - 20 Gusht, 2019

schedule 14:26 - 20 Gusht, 2019

Valdrin Pjetri i është përgjigjur kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për të dhënë shenjat e gishtave. Ato pritet të krahasohen me të dhënat që do të mbërrijnë nga Italia, për të verifikuar një dënim të dhënë ndaj tij në vendin fqinj në 2003 dhe që nuk është deklaruar prej tij.

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Shkodër, që nuk pranoi të marrë detyrën Valdrin Pjetri ka dhënë shenjat e gishtave, pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Përgjithshme, në funksion të hetimit të nisur ndaj tij për shkelje të ligjit të dekriminalizimit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare te institucionit të akuzës. Pas marrjes së gjurmëve daktiloskopike të Pjetrit pritet të bëhet krahasimi i tyre me ato që do të vijnë nga institucionet e drejtësisë në Itali.

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimet për të kaluarën e Valdrin Pjetrit, pasi u vu në lëvizje nga një denoncim i PD-së, sipas së cilës kandidati fitues për Bashkinë e Shkodrës, kishte qenë i dënuar në Itali për trafik droge. Por këtë dënim nuk e kishte deklaruar në formularin e vetedeklarimit në KQZ, në kundërshtim me ligjin e dekriminalizmit.

Në funksion të këtij verifikimi, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar informacion nga Ministria e Drejtësisë, prokuroritë e shkallëve të para dhe atyre të Apelit në Tiranë. Gjithashtu përmes letërporosive të dërguara u është kërkuar informacion institucioneve të drejtësisë në Itali, si dhe Interpolit e Europolit.

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmojë se ky institucion është ende në pritje te përgjigjeve me të dhënat për Valdrin Pjetrin. Vetë Pjetri, pas publikimit nga PD të dokumenteve që provojnë dënimin e tij në Itali në 2003 për trafik droge, deklaroi mosmarrjen e detyrës së kryetarit të Bashkisë Shkodër.

Ai tha se do të përballet me ligjin si një qytetar i thjeshtë për të sqaruar të vërtetën e tij. Valdrin Pjetri e quajti episodin për të cilin e akuzon opozita, një ngjarje banale në kohen e adoleshencës, që nuk e përfshin atë dhe së cilës nuk i ka kushtuar asnjë rëndësi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!