Ditë vere në mes të shtatorit. Temperatura të tilla kanë përfshirë të gjithë vendin këtë fillim vjeshte. Vlerat e termometrit i kanë kaluar 30 gradë celcius dhe sipas meteorologëve janë deri në gjashtë gradë më të larta se normalja e stinës.
“Mund të përmendim 2019, 2021 janë regjistruar temperatura të tilla, pasi temperaturat mesatare të maksimaleve ditore variojnë në 29- 30 gradë celcius. Nuk duhet të ishte në këto vlera ku jemi. Jemi 3 deri në 6 gradë mbi normalen nëse i referohemi zonave të ndryshme klimatike.”
Të martën priten reshje, por ato nuk do ti prishin planet atyre që kanë vendosur të shkojnë në plazh. Meteorologët parashikojnë të jenë të dobëta dhe të përqëndrohen kryesisht në zonat malore të vendit.
“Presim që shtatori të mbyllet i ngrohtë. Do të ketë pak reshje të dobëta lokale të martën dhe në fundjavë në zonat malore, por reshje të dobta lokale dhe jo problematike”
Megjithëse parashikohet një rënie e lehtë e vlerave të termometrit meteorologët thonë se shtatori do të mbyllet me temperatura më të larta se normalja e muajit. Me ditë të ngrohta pritet të nise dhe tetori.