Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha tha se qeveria Kurti po përpiqet që të largojë vëmendjen nga skandali i përgjimeve me tensionet në Kuvend. Në një intervistë për “News Line” me gazetaren Viol Xhafaj, deputeti e cilësoi vendimin e Albin Kurtit për t’u tërhequr nga kushtet në veri si një mashtrim.
Sipas tij, kushtet që ka vendosur BE janë të drejta por ata do të duhej të realizohen në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Berisha thotë se Kurti nuk ka siguruar kushtin me 20 mijë nënshkrime për të shkarkuar kryetarët aktual dhe se nuk është krijuar një ambient i sigurt për zgjedhjet e reja.
“Kushtet që ka vendosur BE nuk janë antikushtetuese. Largimi i njësive speciale duhet të ndodhë. Dy, kryetarët e komunave edhe mund ta ushtrojnë detyrën në objekte alternative. Tre, zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut janë e vetmja formë për zgjidhje ligjore.
Por paraprakisht duhet të krijohen disa kushte. A u plotësuan kushtet për 20 mijë nënshkrime? A u krijua kushti për një ambient i sigurt për zgjedhjet? A u larguan bandat që ka shpallur organizata terroriste? A ka bërë marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë që serbët do të marrin pjesë në zgjedhje dhe Vuçiç s’do të ketë impakt.
Çfarë marrëveshje ka bërë? Është thjesht një mashtrim. I janë ndezur dy bomba njëkohësisht. Mashtrimi në veri, e kam paralajmëruar që kur bëri marrëveshjen e Brukselit. Tani iu ndez një bombë tjetër, e incizimeve dhe po shikojmë se kanë koordiunuar edhe vendimmarrjen dhe qeverisjen me Radoiçiç.
Ai është person në listën e zezë të SHBA dhe ky është degjenerimi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës. Sot po mundohen ta tërheqin vëmendjen nga këto bashkëpunime me pushtetin e Beogradit. Çdo veprim i tyre nga shtatori 2021 e deri në këtë moment është në shërbim të interesave të Beogradit por këtu ka një flamur amerikan dhe s’do të lejojnë ta shkatërrojnë këtë shtet.“, theksoi Berisha./abcnews.al