Venezuelë, Guaido: Regjimi po kërcënon familjen time

schedule22:13 - 31 Janar, 2019

schedule 22:13 - 31 Janar, 2019

Lideri i opozitës në Venezuelën e përfshirë nga kaosi ka denoncuar kërcënimet e bëra ndaj familjes së tij nga forcat e sigurisë, aleate të presidentit Maduro. Megjithatë, Huan Guaido ka deklaruar se diktatura nuk e tremb dhe se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga vizioni i tij për vendin.

Presidenti i vetëdeklaruar i Venezuelës, Huan Guaido ka deklaruar se familja e tij është kërcënuar për shkak të aktivitetit të tij politik. Në një fjalim të mbajtur në Universitetin Qendror të Venezuelës, Guaido ka bërë me dije se policia ka kontrolluar shtëpinë e tij për t’i arrestuar bashkëshorten.

“Forcat speciale ishin në shtëpinë time duke kërkuar për Fabianën”, ka thënë kreu i opozitës duke iu referuar të shoqes.

Ai ka paralajmëruar forcat e sigurisë se do të mbajnë përgjegjësi nëse i ndodh gjë fëmijës së tij, që është vetëm 20-muajsh. Lideri i vetëshpallur i tha këto në kuadër të një fjalimi ku prezantoi vizionin e tij për të ardhmen e Venezuelës.

“Diktatura mendon se do ta na trembë, por kjo nuk do të ndodhë”, vijoi ai.

Guaido u vetëshpall president i përkohshëm i vendit latin më herët gjatë muajit dhe menjëherë statusi i tij u njoh nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Amerikës së Jugut. Ndërsa Rusia, Kina, Turqia dhe Meksika rikonfirmuan mbështetjen për Nikolas Maduro, duke e cilësuar si udhëheqësin legjitim të vendit. Mbështetja e forcave të sigurisë ka qenë një element kyç që Maduro të ruajë pushtetin e tij, por Guaido pretendon se ka zhvilluar bisedime sekrete me oficerë të lartë të ushtrisë për të organizuar rrëzimin e tij.

Venezuela është përfshirë nga protestat që kur Maduro nisi mandatin e dytë si kryetar shteti më 10 Janar. Ai u rizgjodh vitin e kaluar në një proces zgjedhor të kontestuar, ku shumë kandidatë të opozitës nuk u lejuan të merrnin pjesë ose u burgosën. Krahas krizës politike, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, rreth 3 milionë njerëz janë detyruar të braktisin vendin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!