Lideri i opozitës në Venezuelë është nisur personalisht drejt kufirit me Kolumbinë, në përpjekje për të mundësuar futjen në vend të ndihmave humanitare të ardhura nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, presidenti Maduro ka kërcënuar me mbyllje të kufijve.
Lideri i opozitës në Venezuelë, Huan Guaido dhe 80 ligjvënës u nisën të enjten nga Karakasi drejt kufirit me Kolumbinë, me shpresën për të futur në vend ndihmat humanitare të bllokuara nga regjimi i presidentit Maduro. Udhëtimi prej 800 kilometra i Guaido dhe eksponentëve të tjerë të opozitës erdhi pasi qeveria venezueliane deklaroi më herët gjatë së enjtes se do të mbyllte kufirin me Brazilin dhe Kolumbinë. Kreu i opozitës, i njohur nga shumë vende të botës si lideri legjitim i vendit latin, shpreson të çojë ndihmat në destinacion ditën e shtunë. Në një fjalim televiziv të mbajtur të enjten, presidenti Maduro deklaroi se ndihmat janë vetëm një provokim dhe përsëriti se në Venezuelë nuk ka krizë. Por organizata për të drejtat e njeriut HJUMAN RAJTS UOÇ deklaroi po të enjten se Venezuela është pre e një katastrofe humanitare të papreçedentë në historinë moderne të Amerikës Latine. Drejtori i organizatës për vendet e Amerikës së Jugut, Migel Vivanko tha se presidenti Maduro nuk mund të vazhdojë të mohojë realitetin. Ndërkohë, organizata tjetër Amnesti Internejshënëll akuzoi presidentin Maduro dhe forcat e tij të sigurisë për ekzekutime dhe arrestime arbitrare, si dhe për përdorim të tepruar të forcës për të imponuar politikën e shtypjes dhe presionit. Sipas Amnesti, Maduro vepron në mënyrë të pamëshirshme me shtresën më të varfër të popullsisë të cilën thotë se e mbron, por që më pas e arreston, e kërcënon dhe e vret. /abcnews.al