Venezuela, Trump paralajmëron Rusinë

schedule23:50 - 27 Mars, 2019

schedule 23:50 - 27 Mars, 2019

Presidenti Donald Trump i ka bërë thirrje Rusisë që të tërheqë praninë ushtarake nga Venezuela, në të kundërt do të përballet me reagimin e Shteteve të Bashkuara. Apelin e tij Trump e ka bërë teksa ka pritur në një takim bashkëshorten e liderit të opozitës së Venezuelës, Fabiana Rozales.

Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje të mërkurën Rusisë që të tërheqë trupat nga Venezuela dhe ka paralajmëruar se ka në dorë shumë opsione për ta bërë këtë. “Rusia duhet të largohet”, u ka thënë Trump gazetarëve nga Dhoma Ovale, ku ka pritur Fabiana Rozales, bashkëshortja e liderit të opozitës së Venezuelës, Huan Guaido. Dy avionë të forcave ajrore ruse u ulën të shtunën e kaluar në afërsi të Karakasit me rreth 100 trupa ruse në bord.

Qeveria amerikane dyshon se mes tyre ka forca speciale dhe ekspertë të sigurisë kibernetike. I pyetur nga mediat se si do t’i detyrojë rusët të largohen, Trump është përgjigjur: “Do ta shohim, të gjitha opsionet janë të hapura”. Trump dhe zëvendës presidenti Majk Pens pritën në takim zonjën Rozales për t’i shprehur mbështetjen për bashkëshortin e saj, që në janar të këtij viti citoi Kushtetutën për t’u vetëshpallur lider i përkohshëm i vendit, me pretendimin se rizgjedhja e presidentit Nikolas Maduro nuk ishte legjitime. “Shtetet e Bashkuara e shohin ardhjen e avionëve ushtarakë rusë si një provokim”, ka deklaruar Pens. Ai i ka bërë thirrje Rusisë që të heqë dorë nga mbështetja për Maduron dhe të bashkohet me Huan Guaido derisa në Venezuelë të rivendoset demokracia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!