Venecia fitoi një milion euro në 11 ditë nga taksa e re për turistët

schedule08:20 - 8 Maj, 2024

schedule 08:20 - 8 Maj, 2024

Taksa e sapo futur për turistët në një udhëtim ditor në Venecia i solli qytetit 975,000 euro të ardhura në 11 ditët e para të periudhës së provës.

Taksa, e cila u prezantua për herë të parë më 25 prill, ngarkohet me një çmim standard prej pesë euro. Qyteti njoftoi të martën se shiti më shumë se 195,000 bileta në total, duke tejkaluar paksa pritjet.

Taksa do të paguhet pothuajse çdo të shtunë dhe të dielë deri në mes të korrikut, kur qyteti do të rishikojë çmimin.

Si rregull i përgjithshëm, vizitorët gjatë gjithë ditës midis orës 8:30 dhe 16:00 duhet të paguajnë këtë tarifë dhe të marrin një kod QR, i cili shërben si dëshmi e pagesës. Nëse nuk e bëjnë këtë, mund të gjobiten deri në 300 euro.

Nga pagesa e kësaj tarife përjashtohen banorët vendas, mysafirët që kalojnë natën, studentët dhe fëmijët deri në 14 vjeç.

Me rreth 15 milionë vizitorë në vit, Venecia është një nga destinacionet turistike më të vizituara në botë. Turizmi masiv sjell shumë të ardhura për qytetin, por edhe turmat krijojnë probleme të mëdha.

Shpesh është pothuajse e pamundur të kalosh nëpër rrugët e ngushta rreth sheshit të Shën Markut dhe urës Rijalto, dy nga atraksionet më të njohura turistike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!