Në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, kanë filluar të vendosen tabela të reja, ku emërtimet janë dhe në gjuhën shqipe. Gjithashtu janë zëvendësuar dhe tabelat në autostradën që lidh vendin me Greqinë, duke u hequr emërtimi Aleksandi I Madh i cili u zëvendësua me Miqësia
Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Maqedonisë për heqjen e emrit të aeroportit të Shkupit “Aleksandri i Madh” duke e emëruar “Aeroporti Ndërkombëtar Shkup”, si dhe pas heqjes të mbishkrimit mbi aeroport dhe monumentit të Aleksandrit të Madh që ishte në hapësirat e brendshme të aeroportit, tashëm ka nisur edhe zëvendësimi i tabelave në rrugë edhe në gjuhën shqipe.
Në fakt brenda pak orësh janë vendosur tabelat e reja, pas heqjes së tabelave në autostradë në drejtim me Greqinë, pasi aty figuronte emri “Aleksandri i Madh”, duke u zëvendësuar me tabelat e reja me emrin “Miqësia”.
Vendimi u mor gjatë takimit të dy kryeministrave, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras në Davos të Zvicrës, në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik. Një hap i tillë u vlerësua pozitivisht nga Athina, që e cilësoi si dëshmi se Maqedonia po heq dorë, sipas tyre, nga irredentizmi. /abcnews.al