Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu publikoi sot vendimin e fundit të qeverisë në lidhje me dhurimin e gjakut për fëmijët talasemikë në vend. Manastirliu tha se objekt i vendimit janë punonjësit e administratës, të cilët dhurojnë vullnetarisht gjak. Sipas vendimit, pritet që të caktohet një kalendar i posaçëm për këta punonjës që duan të japin gjak, të cilët do të shpërblehen për dhurimin e bërë.
Manastirliu tha se ka patur mjaft punonjës që dhurojnë gjak, por tashmë kjo do të bëhet më e organizuar duke caktuar edhe një kalendar për dhuruesit vullnetarë.
Sipas saj, çdokush që dhuron gjak nga administrata publike do ta marrë dy ditë pushim të paguar nga shteti.
Ndërkohë, ministrja theksoi se çdokush që dhuron tre herë apo më shumë gjak në vit nga qytetarët, do të ketë mundësi që të bëjë një javë pushime në shtëpitë e pushimit që administrohen nga shteti.
Manastirliu tha se në këtë mënyrë pritet që në periudhat në vazhdim Shqipëria të kapë nivelet 20 dhurues për 1 mijë banorë nga pak më shumë se 12 që është tani. /abcnews.al