Skënderbeu pritet të mësojë vendimin e UEFA-s deri në përfundim të sezonit. Klubi korçar rrezikon përjashtim të gjatë nga kupat e Europës, por po ashtu mund të ndëshkohet edhe në Shqipëri
Do të duhet të pritet, por jo më larg se fundi I sezonit.
Skënderbeu do ta mësojë fatin e tij brenda 2 deri 4 muajve duke nisur nga data e kërkesës së inspektorëve të UEFA-s, 7 shkurti i këtij viti.
Me shumë gjasë, që nga muaji prill deri në qershor, do të ketë një vendim nga Komisioni i Disiplinës, i cili do të ketë ndikim për pjesëmarrjen e skuadrës shqiptare në kupat e Europës që në edicionin e ardhshëm.
Kërkesa e inspektorëve ishte për 10 vjet përjashtim dhe 1 milionë euro gjobë, ndërsa nuk dihet sesa e rëndë do të jetë “dora” e Disiplinës.
Gjithsesi, korçarët rrezikojnë edhe në Shqipëri.
Nëse rast dënimi, pritet ndëshkim edhe nga Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit, dhe në bazë të rregullores, mund të vendoset nga heqja e 12 pikëve deri në zbritjen nga kategoria.
Vetë Skënderbeu është përpjekur të jetë i qetë.
Presidenti Takaj vizitoi urgjent ekipin në kompleksin Tropikal, duke I mbajtur edhe një fjalim.
Mësohet se numri 1 i klubit kërkoi nga lojtarët që të jenë të qetë dhe të mendojnë vetëm për ndeshjen ndaj Kamzës, ndërsa për çështjet e tjera është klubi që angazhohet.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Daja është në krye të Superligës, me epërsi 11 pikë nga vendi i dytë, pra është favorite absolute për të fituar titullin, veçse lajmet e ditëve të fundit edhe mund të ndikojnë tek lojtarët.
Kjo do të duket që nga ndeshja e kësaj jave në fushën e Kamzës.
Ndërkaq, UEFA ka reaguar lidhur me hetimet e fundit, duke sqaruar se dënimi i dhënë në 2016 u mendua si i pamjaftueshëm, pas informacionit shtesë i marrë nga Sistemi i Zbulimit të Mashtrimit me Bastet, prandaj do të kërkohet një dënim më i madh.
Po ashtu, UEFA raporton për kërcënimet që kanë marrë, sipas disa informative, inspektorët e saj që kanë hetuar këtë rast. Presidenti i saj, Aleksandër Çeferin, theksoi se “ne nuk do të lejojmë që stafi i UEFA-s të jetë subjekt i kërcënimit dhe frikësimit, ata kanë mbështetjen e plotë të organizatës, përfshi 100 për qind mbështetjen time”.
Klubi korçar reagoi ndaj lajmeve për kërcënim të inspektorëve, duke mohuar çdo lidhje me to. “Mohojmë kategorikisht dyshimet dhe akuzat se persona të lidhur me klubin kanë kërcënuar me jetë inspektorët e organizatës europiane të futbollit, – shkruhet në deklarim, – një veprim i tillë është totalisht jashtë natyrës së qetë, qytetare dhe “Fair Play” të klubit”.
Flitet se në ndeshjen Dinamo Zagreb-Skënderbeu tri vjet më parë, që përfundoi 4-1, janë fituar 15 milionë euro në Lindjen e Largme, ndërsa gazeta e Zagrebit, “Jutarnji List”, pyet për këtë mbrojtësin kroat të korçarëve, Marko Radash.
“Me të vërtetë nuk di gjë, – thotë ai, – nuk vë dorën në zjarr, por besoj se duan të na prishin punë, pasi shumëkush këtu në Shqipëri na ka halë në sy”.
Dyshimet për trukim nisën në ndeshjen raundit eleminator në Champions, Krusejdërs-Skënderbeu, ndërsa në hetim ka qenë një listë me shumë takime të tjera në Europë dhe në Shqipëri./abcnews.al