Vendimi i Strasburgut për “21 Janarin”/ Xhaxhai i Aleks Nikës: Kemi siguruar kasetën e urdhrit të vrasjes. Presim që dosja t’i kalojë SPAK

schedule18:28 - 14 Nëntor, 2023

schedule 18:28 - 14 Nëntor, 2023

Gjykata europiane për të drejtat e njeriut, në vendimin e zbardhur për vrasjen e Aleks Nikës në protestat e 21 Janarit, ka bërë përgjegjës shtetin shqiptar për vrasjen por edhe për mos zbardhjen e saj dhe ndëshkimin e autorëve. Sipas gjykatës, shteti dështoi të kontrollojë protestën dhe oficerët e Gardës së Republikës përdorën armët e zjarrit duke vrarë katër persona, përfshirë edhe Aleks Nikën.

Xhaxhai i këtij të fundit, Mark Nika, në një intervistë të dhënë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, theksoi se vendimin e Strasburgut e prisnin prej kohësh. Ai tha se presin që dosja t’i kalojë SPAK-ut, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend dhe urdhëruesit e vrasjes të marrin dënimin e merituar.

“Është një vendim që e prisnim prej kohësh. Kjo na zgjoi shpresën se një ditë do të zbardhet vrasja e Aleksit. Ne prej kohësh kemi ndjekur çështjen në të gjithë instancat e drejtësisë por kemi hapur në rezistencën e prokurorisë së Tiranës, e cila e ka hetuar në mënyrë të njëanshme. Biles në dosje mund të gjesh edhe gjurmët e falsifikimit dhe mos hetimit objektiv të çështjes. Në vendimin e gjykatës së Strasburgut, presim që dosja t’i kalojë SPAK-ut për të bërë një hetim të thelluar dhe shterues. Më në fund, sipas vendimit, do të vendoset drejtësia për Aleksin dhe për të tjerët të vrarë në bulevard, urdhëruesit dhe vrasësit do të dalin një ditë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Kemi kërkuar edhe nga SPAK që çështjen ta hetojnë ato por ia kanë transferuar hetimin prokurorisë së Tiranës për arsye proceduriale na thanë. Pavarësisht nga kjo kemi bërë dy padi në gjykatën speciale, në shkallën e parë dhe të dytë, dhe nuk na miratuan kërkesën. Tani kohët e fundit, janë bërë dy muaj që kemi çuar çështjen në gjykatën e lartë, dhe presim një vendim në favorin tonë që çështja të kalojë në SPAK, sepse është pa ndikime politike, nuk kanë frikë nga politika. Për ne çështja është zvarritur jo se nuk ka profesionalizëm në Prokurorinë e Tiranës por ka pasur trysni dhe ndikime politike.”, u shpreh ai.

Më tej, ai shtoi se kanë siguruar një kasetë, e cila tregon urdhrin e vrasjes së demonstruesve në bulevard.

“Kam shpresë sepse kohët e fundit kemi siguruar privatisht një kasetë ku është regjistruar e gjithë biseda e zinxhirit komandues të gardës. Aty është fiksuar urdhri që ka dhënë ish komandanti i gardës për të qëlluar mbi demonstruesit. Tekstualisht është thënë kështu “qëlloni mish”. Urdhri doli nga aparati i këshillit të ministrave, dhe sapo u kthye në pozicionin e mbrojtjes, u dha urdhri. Dhe në fakt ashtu ndodhi, u vranë katër veta, u plagosën disa të tjerë dhe në drejtësi duhet të përgjigjet vrasësi për tentativa vrasjeje dhe jo për plagosje. Hetimet janë bërë të cunguara, është një dosje që duhet të fillojë nga fillimi se ndryshe përsëri do të zvarritet.“, shtoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!