Urdhri i Prokurorisë së Krimeve të Rënda që kanë ndaluar publikimin në media të përgjimeve të dosjes “339/1” të botuar nga gazeta gjermane “Bild” për përgjimet e bandës së Avdylajve në Shijak bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Neni 22 përcakton:
- Liria e shprehjes është e garantuar.
- Liria e shtypit, radios dhe televizionit janë të garantuara.
- Ndalohet censura paraprake e një mjeti të komunikimit.
- Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit për funksionimin e stacioneve radiotelevizive.
E po kështu edhe neni 23 i Kushtetutës
- E drejta e informimit është e garantuar.
- Secili ka të drejtën, në përputhje me ligjin, të marrë informacion në lidhje me veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.
- Secilit i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive
Një urdhër që del për herë të parë në 30 vite demokraci ka sjellë reagimin e gazetarëve dhe analistëve.
“Arta Marku në qoftë se e ka vënë këtë sepse është si thikë me dy presa se të ndalohet publikimi thotë ajp. Na e hedh ne fajin. Nuk ka të drejtë ta thotë ajo. Unë po kapa një të drejtë nuk kam pse të yes fare kush është në pushtetin gjyqësor. Kjo është detyra ime. Arta ta mbajë për vete atë”, tha Shpëtim Nazarko nga emisioni”Byro Politike” me Juli Xhakoxhi.
“Të gjitha skandalet janë zbuluar duke shkelur ndonjëligj të vogël që lidhet me shkeljen e ligjit për sekretet, dhe unë si gazetar nuk jam në mënyrë absolute as për ruajtjen e sekretit nga media, as nga njerëz të devotshëm, sepse prokuroria do duhej ta kishte zbardhur”, tha Mentor Kikia.
Ndërsa gazetari Blendi Fevziu nga studio e emisionit opinion i ka kujtuar dy prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, të cilët ndalojnë mediat për publikimin e këtyre përgjimeve se është shkelur edhe deklarata universale e të drejtave të njeriut.
“Është artikulli nr.19 i deklaratës universale të të Drejtave të Njeriut, është artikulli nr.10 i Konventës Europiane. Është një precedent i mbyllur në botë, është një precedent i mbyllur në Shqipëri, është më pak se dritëshkurtësi, nuk dua ta quaj idiotësi sepse e quajti Hakorja dhe nuk vlen më shumë se idiotësi, që Prokuroria t’i kërkojë shtypit të mos publikojë”, tha ai.
Një reagim ka ardhur edhe nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
“Në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë e refuzojmë kategorikisht këtë urdhër të paprecedent, i cili në vetvete e tradhton inteligjencën juridike të vetë Prokurorisë! Organi i prokurorisë mund të nxjerrë një urdhër të tillë vetëm për stafet e tyre, për punonjësit që përfaqësojnë grupin hetimor, por kurrsesi nuk mund të urdhërojnë një pushtet tjetër që nuk ka lidhje me të, i cili kontribuon në transparencën publike dhe rritjen e informimit publik”!
Sipas Unionit të Gazetarëve ky urdhër është një kërcënim megjithatë gazetarët shqiptarë nuk do të ndalen. Përkundrazi do të stimulohen më shumë për të operuar në mënyrë maksimale në interes të informimit publik.