Milaim Zeka komentoi në “Abc-ja e mëngjesit” vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të rrëzuar qeverinë Hoti. Politologu u shpreh se është e rëndësishme që së pari të zgjidhet Presidenti, pasi nëse nuk arrihet një unitet, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
“Ne do të futemi në një tunel të zgjedhjeve njësoj si Izraeli. Do të kemi zgjedhje në pranverë pastaj do të kemi prapë zgjedhje derisa nuk do të ndërhyjnë për fatin e keq ndërkombëtarët. Pasi dhe pas raundit të parë të zgjedhjeve nuk do të ketë unitet për të zgjedhur Presidentin.
Kështu që nuk shoh ndonjë marrëveshje nga politika në Kosovë, e njëjta çorbë sikurse dhe në Tiranë. Është me rëndësi mendoj për stabilitetin e vendit do të kishim mundësi për të zgjedhur Presidentin dhe të shkojmë në zgjedhje. Moszgjedhja e tij na çon prapë në zgjedhje.“, u shpreh Milaimi.
Më tej, ai shtoi se Kushtetuesja ka konstatuar se personat e dënuar me një vendim të formës së prerë gjatë tre viteve të fundit nuk mund të kandidojnë për deputet të parlamentit të Kosovës.
“Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pjesa dërrmuese të VV dhe disa deputetëve të partive të tjera nuk kanë të drejtë të kandidojnë për deputetë të ardshëm të Parlamentit të Kosovës. Domethënë vendimi e përjashtin dhe Albin Kurtin dhe Albulena Haxhiun, Liburn Aliu.
Por dhe deputetë të Aleancës që të garojnë pasi në vendim thuhet se të gjithë ata persona që kanë qenë të dënuar nga Gjykata e Kosovës me vendim të prerë gjatë këtyre tre viteve të fundit nuk kanë të drejtë garimi për kandidat të ardhshëm të parlamentit. Ky vendim e dënon rëndë VV.”, u shpreh Zeka. /abcnews.al

