Vendimi i Hollandës për rikthimin e vizave/ Bushati: Jo panikut, jo neglizhencës!

schedule14:35 - 22 Prill, 2019

schedule 14:35 - 22 Prill, 2019

Lajm të hidhur e ka konsideruar ish ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati vendimin e parlamentit hollandez për rikthimin e vizave. Në reagimin e tij publikuar në rrjetet sociale ish ministri Bushati ka bërë thirrje që ky vendim të mos shihet me panik e njëherazi të mos neglizhohet.

I dha fund heshtjes ish-kreu i diplomacisë shqiptare. Nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale ish-Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati vendos të shprehë qëndrimin e tij ndaj reagimit të parlamentit të Hollandës për rikthimin e vizave me Shqipërinë.

 “Vendimi i Parlamentit hollandez që i kërkon qeverisë nisjen e procedurave në nivel europian për pezullimin e regjimit pa viza me Shqipërinë është padyshim një lajm i hidhur.”

Një pyetje i lind ish ministrit Bushati pas vlerësimeve që iu dha Shqipërisë vitin e kaluar nga raporti i Komisionit Evropian i cili nuk u kundërshtua as nga Hollanda skeptike.

 “Pse një lëvizje e tillë tani kur Shqipëria pret zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, bazuar në kalendarin e miratuar në qershorin e 2018 nga vendet anëtare të BE-së dhe procesin analitik screening?

Shanset që një nismë e tillë të prodhojë efekte në praktikë janë thuajse zero. Ndaj nuk ka vend për panik.”

Sipas ish ministrit të jashtëm Shqipëria edhe pse ka shumë sfida në betejën me krimin e organizuar dhe korrupsionin i përmbush kriteret e përcaktuara sipas vlerësimeve të Komisionit Europian . Por kjo duhet të lexohet siç duhet –këshillon Ditmir Bushati.

“Megjithatë, nuk ka vend për neglizhencë e aq më keq për stigmatizim. Përkundrazi duhet të sigurojmë integritetin e debatit publik në lidhje me këtë çështje. Jemi në të drejtën tonë të përbuzim çdo steriotip negativ që tenton të na vizatojë si njerëz e shoqëri që prodhojmë veç krim dhe emigracion të paligjshëm. Por do të ishte gabim fatal që ta vizatonim Hollandën, anëtare themeluese e kontribuese kyçe në BE, mbështetëse e aspiratës europiane të Shqipërisë, si një vend racist ndaj nesh apo si një vend ku gëlon krimi e prostitucioni”.

Jo vetëm kaq por do të ishte mendjelehtësi gjithashtu të injorohej mesazhi që vjen prej kësaj nisme të Parlamentit hollandez, edhe pse e padrejtë dhe në mungesë të kritereve të përcaktuara nga vetë BE-ja.- thotë Ish ministri Bushati i cili këmbëngul se puna duhet të vazhdojë përmes rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Vendimi i Parlamentit hollandez, edhe pse i pari për një nga shtetet që janë pjesë e listës së bardhë të Schengen, nuk është rrufe në qiell të kaltër. Vjet, në vigjilje të vendimit të BE-së për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, Parlamenti hollandez, përmes një rezolute, i kërkoi qeverisë bllokimin e bisedimeve me Shqipërinë”.

Duke e rreshtuar Hollandën në vendet kritike ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me politikat europiane dhe standardet që lidhen me procesin e zgjerimit, ish ministri Ditmir Bushati kërkon që historiku i qëndrimeve holandeze të shihet si kërkesë për më shumë punë e në të njëjtën kohë duke mos lejuar cënimin e arritjeve historike. /abcnews.al