Vendimi i Bundestagut, Hahn e Soreca: Faleminderit!

schedule23:09 - 26 Shtator, 2019

schedule 23:09 - 26 Shtator, 2019

Të menjëhershme kanë qenë reagimet falënderuese pas këtij vendimi nga eurokomisioneri Hahn dhe ambasadori i BE Soreca. Ndërsa presidenti Ilir Meta bën përgjegjëse politikën për 9 kushtet e Gjermanisë, duke i kërkuar të punohet urgjent për zgjidhjen e krizës.

Pas votës pro të bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, ka reaguar eurokomisioneri Johanes Han. Në rrjetin Social Tuiter, Han shkruan:  “Shumë i mirëpritur votimi i sotëm në Gjermani në favor të hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mirënjohja e përparimit konkret është thelbësore për nxitjen e reformave në Ballkanin Perëndimor dhe besueshmërinë e BE”.

Pak minuta me vonë, edhe ambasadori i BE në Shqipëri Luigji Soreca ka përshëndetur votimin e bundestagut gjerman për çeljen e negociatave.

“Bundestagu gjerman ka votuar këtë mbrëmje në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Tetor”, shkruan Soreca.

Ndërkaq, Presidenti i republikës Ilir Meta, në një reagim në Facebook falënderon bundestagun, e në veçanti grupimin CDU/CSU për angazhimin serioz në mbështetje të integrimit të Shqipërisë. “Tani urgjent të punohet për zgjidhjen e shpejtë të krizës së rëndë politike dhe plotësimin e 9 kritereve të qarta”, është apeli i Metës për politikën Shqiptare. Sipas tij, nëse do të ishin dëgjuar këshillat e deputetëve të bundestagut në kohë, Shqipëria do të kishte marrë një vendim pa kushte ashtu si Maqedonia e Veriut.

“Reflektim serioz për t’i dhënë Shqipërisë një mundësi reale, jo imagjinare! Urime Maqedonisë së Veriut!”, e përfundon postimin Meta.

Edhe numri 2 i Partisë Socialiste Taulant Balla, shpreh falënderimet për parlamentin gjerman, pas vendimit për negociatat

“Faleminderit! Bundestagu voton me 395 vota PRO fillimit të bisedimeve për anëtarësim Gjithashtu 188 kundër (ndër ta pjesa më e madhe e djathta ekstreme AFD) dhe 16 të pavendosur”, shkruan Balla. /ABC news Albania 24/7

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!