“Vendimet e Kurtit janë populiste”, Pajaziti: Përfshiu dinarin në dialog, kjo do t’i kushtojë Kosovës

schedule16:32 - 13 Shkurt, 2024

schedule 16:32 - 13 Shkurt, 2024

PRISHTINË- Banka Qendrore e Kosovës (BQK) u shpreh se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.

Kjo masë ka “zgjuar” serbët lokalë të Kosovës, të cilët kanë hedhur akuza ndaj qeverisë Kurti. Këto veprime të ndërmarra nga Kosova kanë shkaktuar një reagim në bllok të aleatëve perëndimorë, të cilët kanë kërkuar të pezullohet ky akt i qeverisë Kurti.

Ish-ministri i Brendshëm Zenun Pajaziti, duke diskutuar në “Ballkan Update” tha se vendimi i Kurtit është vendim populist dhe aspak i mençur.

“Politikat e  Serbisë nuk ka ndryshuar fare. Përherë çdo herë, nuk ka ndryshuar kursin e saj për të penguar procesin, që synonte sidomos nga miqtë tanë ndërkombëtarë për ta bërë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Reagimi nga institucionet e Prishtinës kanë qenë jo me takte politike të qëndrueshme dhe shpesh dhe populiste”, tha Zenun Pajaziti.

Ai u shpreh se çështja dinari u fut në dialog nga pamaturia e Kurtit dhe kjo qasje do t’i kushtojë Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“ Veprime të pamatura dhe të pamençura politikisht. Pas shpalljes së pavarësisë ne kemi filluar të vendosim institucionet tona në veri. Me veprime të tilla populiste e nxori këtë çështje, e cila do të jetë pengesë për vetë kryeministrin dhe për vetë Kosovën. Kemi të bëjmë me një qeveri, e cila e ka kundërshtuar me verime të dhunshme asociacionin në 2013, dhe kjo qeveri, ka ardhur tek një version më i keq se ai që ishte, kemi humb disa vite dhe për me tepër se sa kjo humbje e kohës, druaj se do kemi pasoja më vonë. Qytetarët janë shumë të zhgënjyer dhe Kosova sot po zbrazet. Janë dëme që më së paku kemi disa vite të humbura”, tha ai.

Ish-ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti shtoi se në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, aleatët perëndimorë ishin kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!