Vendimet e Komisionit të Disiplinës, tre ndeshje pezullim për zyrtarin e Lushnjes

schedule11:21 - 22 Maj, 2024

schedule 11:21 - 22 Maj, 2024

Komisioni i Disiplinës në FSHF ka dhënë vendimet për ngjarjet e kësaj fundjave në futbollin shqiptar ku janë gjobitur dhe pezulluar zyrtarë të Kategorisë së Parë dhe Dytë.

VENDIMET

FK Iliria, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, përdorimin e mjeteve piroteknike dhe duke ofenduar tifozerinë kundërshtare me thirrje fyese, në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/b të KDE, gjoba të aplikohet në masën 20%.

Zyrtari i KF Lushnja, Klaudian Dërvishi për provokim të spektatorëve, në bazë të nenit 14/1/f të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Zyrtari i Albpetrol, Orges Çuko, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Lojtari i FK Pogradeci U-19, Flavio Halilaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Lojtari i KF Shkodra, Aurelio Ujka,për sjellje josportive ndaj lojtarëve kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/b të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i Shkëndija Tiranë, Dervish Meta, për sjellje josportive ndaj lojtarëve kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/b të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Zyrtari i KF Lushnja U-15, Besmir Shurdhi, për sjellje të dhunshme dhe kërcënime ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 14/1/h dhe 14/1/k të KDE, dënohet me 13 (trembëdhjetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Pranimin e kërkesës së kërkuesit Bledar Devolli. Klubi i Futbollit Luzi i Vogël 2008, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 11, datë 08.01.2024 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/b të KDE, i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin.

S Pepa U-17, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kategorisë së Parë U-17, kundër Flamurtari FC U-17, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.

KF Tirana U-17, për mospërmbushje të detyrimeve dhe përgjegjësive duke shkaktuar braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Abissnet Superiore U-17, kundër KF Teuta U-17, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.

Rrëzimin e kërkesës së Tirana Young Stars si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!