Vendet muslimane bëjnë thirrje për njohje të Palestinës

schedule19:16 - 13 Dhjetor, 2017

schedule 19:16 - 13 Dhjetor, 2017

Liderët e botës muslimane i bëri thirrje botës që të njohë shtetin e Palestinës dhe Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të tij të pushtuar. Kërkesa është nënshkruar nga 57 liderë në samitin e Organizatës për Bashkëpunimin Islam që u zhvillua në Turqi. Presidenti Erdoan në këtë event akuzoi rëndë SHBA dhe Izraelin.

Liderët e 57 vendeve muslimane i kanë bërë thirrje botës që të njohjë “shtetin e Palestinës dhe shpallën Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të tij të pushtuar”. Ky është konkluzioni i samitit të Organizatës për Bashkëpunimin Islam, që u thirr në mënyrë emergjente nga presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, për të marrë masa kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit nga SHBA.

Me përçarjet brenda botës islame, në samit ata nuk ranë dakord për vendosje konkrete të sanksioneve ndaj Tel Avivit apo Uashingtonit. Deklarata e takimit, vendimin e njëanshëm të presidentit amerikan Donald Trump e cilëson si të paligjshme dhe të pavlerë, duke e kundërshtuar dhe dënuar atë.

“Ne e konsiderojmë atë si një sulm ndaj vlerave historike, ligjore, natyrore dhe kombëtare të popullit palestinez, sabotim i qëllimshëm i të gjitha përpjekjeve për paqe, shtytës i ekstremizmit dhe terrorizmit dhe kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë. Dokumenti i bën thirrje të gjitha shteteve anëtare t’i japin prioritet çështjes palestineze në takimet e tyre ditore dhe axhendën e politikës së jashtme.

Duke folur në këtë samit, presidenti i Turqisë përsëriti akuzat e tij për Izraelin duke thënë se ai është një shtet i pushtimit dhe terrorit. Ndërsa më tej Erdoan thekson: “Nuk mund të bëhet fjalë që Amerika tashmë të bëjë ndërmjetësimin mes Izraelit dhe Palestinës. Tashmë ky proces ka përfunduar”. E njëjta thirrje është bërë edhe nga presidenti i Palestinës, Mahmud Abas.
Në fjalim presidenti turk nuk i ka kursyer fjalët kundër homologut të tij amerikan duke thënë se vendimi i Trump është i paligjshëm, jo logjik dhe imoral. Në fund, Erdoan nënvizoi se “fati i Jeruzalemit nuk mund të lihet në duart e një vendi i cili ushqehet nga gjaku dhe zgjeron kufijtë e tij duke vrarë në mënyrë makabre fëmijët, civilët dhe gratë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!