Vendet e BE-së në KS të OKB-së, thirrje Kosovës e Serbisë për ndërtim mirëbesimi

schedule22:38 - 21 Tetor, 2020

schedule 22:38 - 21 Tetor, 2020

Vendet evropiane, anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Belgjika, Estonia, Franca, Gjermania, Irlanda, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar, u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të qëndrojnë të përkushtuara ndaj procesit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, si mundësia e vetme e qëndrueshme për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimi të marrëdhënieve.

“E mirëpresim faktin që qeveritë e Serbisë dhe Kosovës kanë konfirmuar angazhimin e tyre strategjik për të ardhmen e tyre në BE. Bisedimet e lehtësuara nga BE-ja janë kushti kryesor për të ndërmarrë hapa në rrugën e tyre përkatëse Evropiane”, thuhet në një komunikatë të përfaqësuesve të këtyre vendeve.

Në komunikatë u bëhet thirrje të gjitha përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe Serbisë që të punojnë së bashku për të arritur një konsensus politik drejt përmbushjes së qëllimit të përbashkët. Kjo, thuhet në komunikatë, do të kërkojë përpjekje të vendosura për reforma nga të dyja vendet për të forcuar shtetin e së drejtës, në veçanti luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për të nxitur zhvillimin socio-ekonomik.

“Së këndejmi theksojmë rëndësinë e bashkëpunimit të fortë me EULEX-in. Ne gjithashtu theksojmë se respektimi dhe bashkëpunimi me Dhomat e Specializuara është një detyrim ndërkombëtar për Kosovën”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesit evropianë u bënë thirrje të dyja palëve që të ndërtojnë më tej mirëbesimin dhe të përmbahen nga retorika negative dhe veprimet provokuese që ngrenë tensione dhe rrezikojnë të shkaktojnë pengesa në bisedime. Ne presim që të dyja palët të punojnë në mënyrë konstruktive me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së Miroslav Lajçák drejt arritjes së një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme e gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, një marrëveshje që gjithashtu kontribuon në qëndrueshmërinë rajonale”, thuhet në komunikatë.

Thirrjet e vendeve evropiane pasuan debatin virtual të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i dyti gjatë këtij viti.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë u shfaqën sërish me qëndrime e vlerësime tërësisht të kundërta.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, kritikoi Bashkimin Evropian dhe Prishtinën për mospërmbushje të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse vlerësoi dakordimin për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në praninë e presidentit amerikan Donald Trump më 4 shtator, ai kritikoi Prishtinën se po vazhdon të përpiqet të sigurojë njohje për pavarësinë e saj me gjitha zotimin se do të pezullojë një gjë të tillë për një vit.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, tha se Serbia duhet të njohë realitetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe t’ii jap fund mohimit të së kaluarës dhe krimeve në Kosovë.

“Republika e Kosovës është e gatshme për fqinjësi me Serbinë. Konfirmoj se Kosova është e gatshme për të lëvizur drejt pajtimit, kurdo që Serbia është e gatshme që ta pranojë të bëmat e saj”, tha mes tjerash shefja e diplomacisë së Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!