“Vëmendja te faza play-off”, Rebrov për shortin e Nations League: Shqipëtarët po tregojnë futboll solid

schedule14:56 - 9 Shkurt, 2024

schedule 14:56 - 9 Shkurt, 2024

Pasditen e së enjtes që sapo lamë pas, në Paris të Francës u hodh shorti përcaktues i fazës së grupeve, të kompeticionit për përfaqësueset, UEFA Nations League, ku pjesë janë edhe “Legjionarët” tanë, të cilët këtë edicion janë pozicionuar në Ligën B, ku në grup do të kenë Kombëtaret e Çekisë, Ukrainës e Gjeorgjisë.

Një koment të shkurtër mbi shortin e bëri edhe tekniku i Kombëtare ukrainase, Serhiiy Rebrov, me ish-“bomberin” e kësaj përfaqësueseje, që na ka mundur me këmbët e veta plot 2 herë, gjatë kualifikueseve të Botërorit 1998, me të dyja ndeshjet që përfunduan me rezultatin 1 me 0 dhe golat që u shënuan nga Rebrov.

Tashmë në rolin e teknikut të Kombëtares së Ukrainës, Rebrov do të tentojë sërish të mundë “Legjionarët” tanë, ama këtë herë do ta ketë më të vështirë, teksa e konsideron si një “luftë të ashpër” përballjet brenda grupit tonë e më tej shtoi se për përballjet do të fliste sërish në shtator, teksa fokusi momental i tij është te faza “play-off” e kualifikueseve të Euro 2024.

“Nuk prisja asgjë nga shorti i Nations League, pasi ne e kemi mendjen te kualifikimi në Euro 2024. Pas ndeshjeve të ‘playoff’-it do të nisim të mbledhim informacione për kundërshtarët tanë. Për momentin duhet të përqendrohemi te përgatitjet e provimeve të muajit mars. Kam parë shumë ndeshje të Çekisë dhe Shqipërisë, të Gjeorgjisë më pak.

Shqiptarët po tregojnë një futboll solid, ata siguruan të drejtën për të luajtur në Europianin e Gjermanisë. Njësoj si çekët. Ndërkohë që gjeorgjianët do të kërkojnë kualifikimin në duelet e ‘play off’-it. Jam i sigurt se do të ketë një luftë të ashpër në grupin tonë”,- theksoi tekniku i ukrainasve.

Ndërkaq, kujtojmë se Ukraina ndodhet në çiftin e dytë të fazës “play off”, ku fillimisht do të përballet me përfaqësuesen e Bosnje Hercegovinës e në rast fitoreje do të ndeshet me fituesin e çiftit Izrael-Islandë, ku në rast sigurimi të një bilete për në fazën finale, të Euro 2024 do të pozicionohej në grupin E, sër bashku me Rumaninë, Belgjikën e Sllovakinë. /i.m /abcnews.al