Gledis Nano është emëruar ditën e sotme Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pasi paraardhësi i tij Ardi Veliu dha dorëheqjen. Nano është betuar vetëm para pak minutash ndërsa ministri i Punëve të Brendshme Bledi Çuçi u shpreh se ai do ta ketë shumë të vështirë punën, për shkak të “niveleve ku ka arritur performanca e policisë së shtetit.”
Gjatë fjalës së tij, pavarësisht frazës së kandilit që përdori në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Çuçi foli me superlativa për punën e bërë në këto katër vite nga Ardi Veliu. Sipas tij, ish-drejtori i Policisë së Shtetit e ka çuar policinë në nivelet më të mira që ajo ka pasur në 30 vite të tranzicionit.
“Unë me bindje të plotë them që drejtor Veliu, në katër vite të mandatit të tij, e ka çuar policinë e shtetit në nivelet më të mira që ajo ka pasur në 30 vitet e tranzicionit. Këtu ndajmë të njëjtin mendim bashkë, gjithkush mund të ketë rezerva por para fakteve kokëforta, të gjithë duhet të pranojmë se policia e shtetit është një organizatë më dinjitet. Dhe e barabartë me partnerët tanë perëndimorë. Policia e shtetit ka sot besueshmërinë më të lartë në 30 vitet e tranzicionit. Për të mos folur për statistika që kanë të bëjnë me krimet, vrasjet, lufta kundër kultivimit të kanabisit apo trafiqeve të ndryshme.”
Ministri i Brendshëm u shpreh i bindur se Ardi Veliu do t’i kryejë “me nder dhe përkushtim ashtu siç kreu detyrën e drejtorit të përgjithshëm” edhe detyrat e tjera që e presin në vijim. Kurse, për Gledis Nanon, Çuçi u shpreh se pavarësisht vlerësimeve, për të do të flasë koha dhe puna e kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
Kujtojmë se Ardi Veliu i dorëzoi kryeministrit dorëheqjen më 5 shtator. Në letrën e dorëheqjes, si shprehet se arsyet që e kanë çuar në marrjen e këtij vendimi kanë qenë personale duke i lidhur me familjen.
Dorëheqja erdhi vetëm pak ditë përpara mbarimit të afatit të vendosur nga kryeministri Edi Rama. Rreth tre muaj më parë pas ngjarjeve të shumta kriminale në vend, Rama vuri një afat prej 100 ditësh për strukturat e policisë duke thënë se brenda këtij afati ata duhet të vendosnin rendin dhe angazhimin maksimal.
Por duket se ngjarjet e fundit kriminale, ekzekutimi i efektivit Saimir Hoxha në Lezhë dhe atentati me dy viktima mbrëmë në Elbasan i vendosën vulën fatit të Veliut. /abcnews.al/