Veliaj: Uji i Bovillës po ndotet

schedule14:25 - 1 Dhjetor, 2017

schedule 14:25 - 1 Dhjetor, 2017

Reshjet dhe përmbytjet po rrisin turbullimin e ujit në rezervuarin e Bovillës. Kreu i bashkisë së Tiranës Veliaj, tha për ABC News se mund të kufizohet uji në Tiranë ndaj apeloi qytetarët për ta kursyer atë.

Përmbytjet kanë përfshirë edhe nënstacionin elektrik në Kashar ndërkohë që kanë turbulluar impantin e Bovillës duke bërë që Tirana të vuaj mungesën e energjisë elektrike dhe ujit.

 

Shqipëria është zgjuar nën ujë, ndërsa Tirana pa ujë dhe drita. Reshjet e shiut shkaktuan përmbytje në nënstacionin elektrik të Kasharit punonjësit e të cilit i thanë ABC News se u detyruan ta stakojnë për gati tre orë. Për mungesë të energjisë elektrike, bashkia e kryqytetit thotë se dolën jashtë funksioni tre stacione pompimi, në Bërxull, ai në autostradën Tiranë-Durrës dhe Laknas duke bërë që zonat e Kinostudios , Xhamllikut, Alliasit, Pazarit te Ri, Rr. “5 Maji”, Laprakë, Rr. E “Kavajës”, Rr. e “Durrësit”, zona e “Vasil Shanto” dhe Yzberisht të mos furnizohen me ujë. Përfshirë Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, ish spitalin ushtarak dhe dy maternitete të cilët bashkia thotë se i ka furnizuar me bote.

Por ndërsa nënstacioni i Kasharit, pas largimit të ujit nga Forcat e Armatosura është kthyer në gjendje pune, liqeni i Bovillës ndodhet në gjendje kritike dhe është stakuar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një lidhje telefonike për ABC News, shpjegoi se niveli i turbullirës së ujit në impiant është më i lartë se ajo që duhet të jetë për tu përpunuar.

Aktualisht ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, sipas bashkisë po shfrytëzon maksimalisht burimet e Shën Mërisë, Selitës, Bërxullit dhe Laknasit për të furnizuar me ujë banorët e kryqytetit deri në përmirësimin e situatës në Bovillë.

 

Njoftimi i Bashkisë:

Reshjet e dendura që kanë përfshirë Tiranën, që prej mbrëmjes së djeshme dhe gjatë natës, kanë shkaktuar turbullirë në Liqenin e Bovillës, duke sjellë një situatë kritike në impiantin e përpunimit të ujit e për rrjedhojë në furnizimin me ujë për një pjesë të qytetit.

Aktualisht, nga matjet që stafi i Ujësjellës-Kanalizime Tiranë kryen çdo 15 minuta, niveli i turbullirës në impiant rezulton 13.000 NTU, nga 50-65 NTU që duhet të jetë normalisht për t’u futur në përpunim, e më pas për shpërndarje në çezmat e qytetarëve. Për këtë arsye, momentalisht impianti i përpunimit të ujit të liqenit të Bovillës është stakuar.

Situatën në të cilën ndodhet impianti i Bovillës dhe nivelin e turbullirës aty e tregon edhe kjo video e regjistruar pak minuta më parë në stacion.

Pavarësisht kësaj, UKT po shfrytëzon maksimalisht të gjitha burimet e saj alternative, konkretisht burimet e Shën Mërisë, Selitës, Bërxullit dhe Laknasit, për të ulur sa të jetë e mundur mungesën e ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës, deri në përmirësimin e situatës në Bovillë.

Bashkia e Tiranës dhe UKT u bën thirrje të gjithë qytetarëve të saj të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e ujit të pijshëm gjatë orëve në vijim, derisa turbullira e shkaktuar nga prurja e madhe e rrjedhjeve në liqenin e Bovillës të pastrohet dhe impianti të kthehet në punë në kapacitet të plotë.

UKT ka marrë masat duke furnizuar me bote në mënyrë të pandërprerë të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë sidomos spitalet, maternitete, azile dhe konvikte etj., në mënyrë që ky problem të mos ndikojë në ecurinë normale të punës së tyre. UKT ka në dispozicion 20 bote që furnizohen vazhdimisht me ujë të pijshëm dhe shpërndahen në mënyrë të organizuar.

Për çdo problematikë me ujin e pijshëm, UKT ka në dispozicion numrin e saj pa pagesë 08004488.

Falenderojmë të gjithë banorët e kryeqytetit për mirëkuptimin dhe durimin!/abcnews.al

 

https://youtu.be/nRgRwzKTPug

 

 

 

https://youtu.be/0rMOUz3fo8o

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!