Veliaj: Tirana, qyteti ideal për të investuar në Ballkan

schedule13:26 - 11 Nëntor, 2017

schedule 13:26 - 11 Nëntor, 2017

Projektet transformuese të kryeqytetit janë prezantuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në forumin “Ditët e Investimeve në Beograd”. Kryebashkiaku Veliaj e ka cilësuar Tiranën si qytetin ideal të investimeve në Ballkan.

Tirana ka potenciale për të tërhequr investimet e huaja. Me këto fjalë iu drejtua kryebashkiaku i kryeqytetit Erion Veliaj të pranishmëve në forumin Ditët e investimeve në Beograd.

“Besoj se Tirana me mundësitë e reja që po ofron, me taksat e ulëta, ndoshta më të ulëtat sot në rajon nga secili prej kryeqyteteve të pranishëm, është vendi ideal për të investuar. Mesazhi që japim në këtë forum ballkanik të investimeve është që sot Tirana listohet për të gjitha këto arsye, duke nisur nga moti, tek mosha, tek taksat dhe tek talenti i njerëzve që duan të punojnë, si vendi ideal i investimeve në Ballkan”

Kreu i Bashkisë tha se Tirana është e hapur për të mirëpritur investime në zonën e re ekonomike të kryeqytetit, ku bizneset do të kenë mjaft lehtësira, duke shmangur edhe burokracitë e panevojshme.

“Po përgatisim të bëjmë një aplikim në qeverinë shqiptare për të na dhënë statusin e zonës ekonomike, e cila do të na bënte konkurrues bashkë me kryeqytetet e tjera të cilat i kanë krijuar këto hapësira, për të ftuar biznese të cilat nuk duan kokëçarjet e negociatave me dhjetëra pronarë apo pretendues të pronës, por duan që në një pronë tashmë të sqaruar nga qeveria apo Bashkia, të vendosin menjëherë një kapanon ku mund të kryejnë më pas biznesin e tyre dhe të fillojnë menjëherë prodhimin”

Tirana është i vetmi qytet që po rritet u shpreh kryebashkiaku Veliaj sipas të cilit shumica e qyteteve në Ballkan po tkurren edhe për efekt të moshës.Kjo është një arsye më shumë që shumë prej kompanive që investojnë në Ballkan dhe që ishin në këtë forum, janë duke kërkuar një vend ku ka mjaftueshëm talent në moshë të re që mund të punojë, që di gjuhë të huaja dhe që ka aftësitë kryesore për të punuar në një kompani multinacionale tha kreu i bashkisë në materialin filmik të shpërndarë në media prej zyrës së tij të shtypit.

“Me rritjen e vlerës së pronës, që sot kemi pasur interes nga shumë prej kompanive që duan të vijnë, të blejnë dhe të investojnë një pronë në Tiranë apo të fusin industrinë e hotelerisë, ku Tirana ka pasur një rritje të turizmit me 2.5 herë në vitet e fundit. Projekti “1 miliard” i qeverisë “Rama” për të ftuar kompani nga e gjithë bota, të cilat i financojnë projektet dhe i marrin pagesat në kohë, ashtu siç po bën qeveria me rrugët apo Bashkia me shkollat, ishte gjithashtu një temë tjetër me shumë interes dhe mirëpresim edhe garues të huaj dhe gjithë investitorët e Ballkanit që të jenë të pranishëm në Tiranë”

Forumi “Ditët e Investimeve në Beograd” është një platformë e jashtëzakonshme sa i përket bashkëpunimit ekonomik që mbledh bashkë përfaqësues të trupit diplomatik, ministrive, investitorëve, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare, banka e kompani të huaja dhe vendase, përfaqësues të Fondeve, Dhomave të Tregtisë, nga Evropa Juglindore, Qendrore dhe Jugperëndimore, Rusia, Pellgu Kaspik, Kina dhe Lindja e Mesme./abcnews.al

https://youtu.be/L8PqdsxZOOM

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!