Kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi takim me disa familje të reja në kryeqytet ku foli për projektet e realizuara gjatë mandatit të tij të parë, si dhe shpalosi ato që do të realizohen gjatë mandatit të tij të dytë.
Kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi takim me familjet e reja në kryeqytet, ku foli për punët e bëra, si dhe projektet që do të zbatohen në 4 vitet e ardhshme me fokus sërish te fëmijët.
Veliaj u shpreh se është e rëndësishme që më 30 Qershor prindërit ta kenë të qartë nëse duan të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre apo të qëndrojnë në shtëpi duke menduar për hallet e politikanëve.
“Nuk dua t’ju flas për fushatë sepse besoj se në Tiranë fokusi tek fëmijët ka qenë fushata më e mirë që kemi bërë në këto 4 vjet. Por, ajo që dua nga ju është që, kur të shkoni te këndi i lodrave, se zakonisht aty shkojnë edhe prindërit me kasketë që protestuan kundër ndërtimit të këndit, t’u thoni hiqeni kasketën, nuk ka nevojë të fshiheni, të gjithë bëjmë gabime, ajo që ka rëndësi është që të mos mendojmë më për shefat e partisë, por të mendojmë pak më shumë për fëmijët”, tha Veliaj.
Veliaj bëri të ditur se projekti i kredive të buta për çiftet dhe familjet e reja do të vijojë edhe në mandatin e dytë të tij.
“Filluam me kredinë e butë, ku çdo vit kemi pasur 1 mijë çifte të reja që e kanë përfituar. Mosha e të dyve në çift duhet të jetë nën 70 vjeç, pra nga 35 vjeç mesatarisht secili ose më poshtë, që mund të kenë ardhur nga qytete të tjera, që sapo e kanë filluar jetën në Tiranë, që sapo janë bërë me fëmijë, që nuk iu del edhe për qiranë, edhe për fëmijën, edhe për pajisjet elektroshtëpiake, edhe për të jetuar. Duam që t’i vazhdojmë këto projekte dhe duam që t’i forcojmë”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se pas ndërtimit të 45 këndeve të lojërave gjatë mandatit të parë, projekti do të vijojë edhe në mandatin e dytë, duke ndërtuar çdo muaj një kënd të ri lojërash. /ABC News Albania 24/7