Veliaj shpërndan dhurata për fëmijët e zjarrfikësve

schedule12:15 - 30 Dhjetor, 2017

schedule 12:15 - 30 Dhjetor, 2017

Në këtë atmosferë festash nuk kanë munguar edhe dhuratat për fëmijët e punonjësve të shërbimit zjarrfikës në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se viti i ardhshëm do të ti gjejë me kushte më të mira pune dhe paga të rritura.

Janë fëmijët e heronjve të një qyeteti siç i cilësoi bashkia e Tiranës zjarrëfikësit. Këto  dhurata për festat e fundvitit janë momenti më i mirë për të dhënë lajmin se baballarët e tyre do të kenë kushte më të mira pune dhe të ardhura më të kënaqshme në fund të muajit.

“Më vjen mirë që për herë të parë po vëmë dinjitetin e zjarrfikësit në vend. Qyteti i Tiranës e mbajti fjalën. Besoj është e drejtë, është në dinjitetin e gjithë bashkive të tjera, që kur vjen puna tek zjarrfikësit, të jenë të parët që shpërblehen dhe kompensohen për mundin dhe sakrificën e tyre. Kjo është e vetmja mënyrë se si japim imazhin e një qyteti që për të mirët, për ata që sakrifikojnë më shumë, për ata që punojnë më fort, nuk do të kursehemi sepse garantojmë jetën dhe sigurinë e qytetit tonë”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Kryebashkiaku tha se në 2018 do të mbyllet rikonstruksioni i stacioneve, por do të ketë edhe një përmirësim në mjete, për t’iu përgjigjur në kohë qytetarëve në nevojë. Veliaj theksoi se pavarësisht sfidave të shumta gjatë këtij viti, falë sakrificës së punonjësve të shërbimit nuk u shënua asnjë viktimë.

“Fakti që kemi kaluar shumë sfida, si me zjarret, me përmbytjet, pa viktimat që keni parë në qytete shumë më të zhvilluara të Bashkimit Europian dhe të Amerikës, nuk është falë mjeteve të sofistikuara, por falë sakrificës së zjarrfikësve, sepse potencialin njerëzor nuk ka makineri që e zëvendëson dot. Për këtë, duke parë se çfarë heqin të tjerë kryetrarë bashkie në qytete që kanë më shumë mjete, që kanë më shumë financa, që kanë më shumë infrastrukturë, që kanë më pak pengesa nëpër pallate dhe qytet, e prapë se prapë kanë probleme, jam 10-fish mirënjohës për secilin prej jush”

Në emër të qytetit, kreu i Bashkisë së Tiranës u shprehu mirënjohjen edhe familjarëve të punonjësve të shërbimit.

“Dhurata më e bukur është dhurata e jetës dhe sa herë që një zjarrfikës shkon në krye të detyrës nëse ka rënë zjarr, nëse është shumë ftohtë, nëse dikush është përmbytur, kur i shpëton jetën një njeriu, ka dhënë dhuratën më të çmuar. Ndaj, në qytetin e Tiranës, duke filluar nga unë si kryetar bashkie, por besoj edhe 1 milionë qytetarët e tjerë, i falenderoj dhe jam shumë krenar për prindërit tuaj, të cilët janë heronjtë e qytetit tonë sepse i kanë dhuruar dhuratën e jetës cilitdo që i është rrezikuar jeta gjatë vitit 2017”,

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për mbështetjen që ka treguar këto dy vite për shërbimin zjarrfikës dhe për përmirësimin e kushteve të punës./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!