Kandidati socialist që kërkon një mandat të dytë për Bashkinë Tiranë, Erion Veliaj, është rikthyer për të parë projektet e premtuara në 2015 në Laprakë, që sipas tij janë realizuar të gjitha.
Familja Duzha ka pritur për herë të dytë në shtëpinë e tyre kandidatin socialist per Bashkinë Tiranë, Erion Veliaj. Në 2015 zona ku jeton kjo familje kishte probleme me rrugët dhe ndriçimin, por sipas Veliajt sot pas 4 vitesh janë mbajtur të gjitha premtimet.
“Ju premtova që do kthehesha dhe e mbajta fjalën. Gëzohem shumë që ju shoh. Më priu mbarë dreka e herës së fundit këtu. Mund të të prijë mbarë, por nëse nuk ke bërë punën, nuk kthehesh dot dy here. Kur erdhët këtu para 4 vitesh, Lapraka është zonë e re, komunitet i ri, kishte mungesë infrastrukture, bashkëjetesa ishte e vështirë”.
Teksa drekoi me familjen në Laprakë Veliaj foli edhe për projektet e mandatit të ardhshëm si kryebashkiak.
“Një gjë që e kam me shumë qejf është projekti i Piramidës, që duam ta kthejmë në shkollën më të madhe alternative për çuna e goca të vegjël, ku të mësojnë si kodohet me kompjuter. Sot, të thuash që di anglisht nuk impresionohet njeri fare, por po t’i thuash që di të kodoj, të bëjë softuer dizajn, të bëj animacion, kjo është e ardhmja”.
Veliaj theksoi se fushata për zgjedhjet e 30 qershorit është përqendruar te hallet që shqetësojnë qytetarët dhe tek projektet e tjera që kanë ende nevojë për më shumë vëmendje. /ABC News Albania 24/7